Përfaqësuesi i koalicionit të Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu dhe kryetari i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve (DUA), Mehmed Zenka, pas konsultimeve me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kanë deklaruar se mandatari për të krijuar qeverinë e re malazeze duhet të jetë Milojko Spajiq.
“Për koalicionin shqiptar është e rëndësishme që qeveria e ardhshme të vlerësojë specifikat tona dhe të punojë në veprime afatgjata që do të kontribuojnë në zhvillimin tonë, ashtu sikurse për të gjitha komunitetet e tjera në Mal të Zi”, tha Nimanbegu që përfaqësonte koalicionin e përbërë nga Forca dhe PD-ja e Fatmir Gjekës.
Ai shtoi se deri më tani kanë pasur bisedime me Spajiqin, ku kanë insistuar për decentralizimin e pushtetit dhe se në këtë drejtim niveli deklarativ po kalon në veprime, raporton rtcg.