Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, të premten shkarkoi edhe disa punonjës të Departamentit të Drejtësisë që kishin punuar për prokurorin e posaçëm Jack Smith për ta hetuar mbajtjen e të dhënave të klasifikuara nga presidenti Donald Trump dhe përpjekjet e tij për zhbërjen e zgjedhjeve të vitit 2020, sipas pesë personave të afërt me çështjen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rreth 20 avokatë, staf mbështetës dhe zbatues amerikanë që kishin punuar në hetimin e Smithit u shkarkuan, sipas njërit prej burimeve.
Të paktën dy prej personave të shkarkuar ishin prokurorë që kryesisht kishin punuar në zyra të tjera të prokurorëve amerikanë në Florida dhe Karolinën e Veriut, i thanë agjencisë “Reuters” tri prej burimeve.
Departamenti i Drejtësisë që nga janari ka shkarkuar punonjës që punonin në çështje që i përfshinin Trumpin dhe mbështetësit e tij, duke i cituar kompetencat ekzekutive të presidentit sipas Kushtetutës.
Një zëdhënës i Smithit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Katërmbëdhjetë prokurorë që punonin në ekipin e Smithit u shkarkuan më 27 janar për shkak të punës në rastet kundër Trumpit, duke u bërë disa nga punonjësit më të hershëm të Departamentit të Drejtësisë që u shkarkuan. Udhëheqësia e Departamentit të Drejtësisë u tha atyre prokurorëve në letrat e shkarkimit se nuk mund t’u besohej që ta zbatonin agjendën e Trumpit për shkak të punës së tyre në hetimin e Smithit.
Duke i përfshirë personat e shkarkuar të premten, të paktën 37 njerëz që punonin në ekipin e Smithit janë larguar nga detyra që nga rikthimi i Trumpit në pushtet më 20 janar.
Departamenti i Drejtësisë në muajt e fundit gjithashtu ka shkarkuar persona që kanë trajtuar raste që përfshinin të pandehur që e kishin sulmuar ndërtesën e Capitol-it më 6 janar 2021, në përpjekje për t’ia bllokuar Kongresit certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Smithi kishte ngritur dy raste penale kundër Trumpit në vitin 2023, duke e akuzuar për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të sigurisë kombëtare dhe për komplot që ta zhbënte humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Të dy rastet u hodhën poshtë para se Trumpi të rikthehej në pushtet./Nacionale/