“(Serbia kreu) akt agresioni të pashembulltë ndaj Republikës sonë, duke kidnapuar tri policë të rregulltë të policisë sonë kufitare. Ata që e ushtruan këtë akt ishin anëtarë specialë të ushtrisë serbe, të cilët me makina pa targa, të maskuar, thellë në brendësi të territorit të Kosovës kryen një akt agresioni të urdhëruar nga Beogradi zyrtar…është akt qyqar…”, tha ai duke folur nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ku po raporonte para deputetëve.
Këtu ai do t’i “mëshonte” misionit paqeruajtës të NATO’s në Kosovë, KFOR’it. Pyeste me ngulm dhe me tone të larta se çfarë po bëjnë që “qe 30 orë dhe asgjë?”. Aty kishte shkuar menjëherë pas një takimi me ambasadorët e QUINT’it të cilëve u kishte “protestuar” rreth kësaj heshtje të KFOR’it ndaj ngjarjes. Por, edhe ambasadorët ishin të heshtur rreth dënimit të këtij akti si “agresion”. Këtu mëngët i përvjeli kah KFOR-i.
S’bën të heshtet e as të tregohet përulësi, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, referuar KFOR’it, e në veçanti jo ndaj “një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte”.
“Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”, tha ai.
KFOR’i megjithatë do t’i përgjigjej, duke mos iu përgjigjur. Në (mos)përgjigjen e KFOR’it, kishte edhe gjëra që mund të lexoheshin si përgjigje implicite. Nuk i referohej si “kidnapim” ose “rrëmbim” por vetëm si arrestim. Por, as edhe një gjë tejet kyçe – nuk thanë që ky arrestim ndodhi as në territor të Kosovës e as në të Serbisë. Këtë pjesë e kaluan heshtazi. Tjetra gjë që s’e thanë, ishte që ato ishin pjesë e njësive speciale ushtarake “Kobra”. Thanë thjesht Polici e Serbisë.
Në një përgjigje për Nacionalen, KFOR-i përgjigjej kështu; thënë përmbledhtazi: Nuk ishim aty. “Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR’i, nuk ishte në atë zonë kur tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga Policia e Serbisë”, tha KFOR’i.
“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”.
Nuk dënohej gjëkundi si “agresion”, e madje, për më tepër, quhej vetëm arrestim.
ShBA, megjithatë, ishte e para që nuk e përjashtoi se mund të ishte “rrëmbim”, por atë si skenar potencial çfarë mund të kishte ndodhur. Megjithatë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit teksa kërkoi që “tre policët të lirohen menjëherë dhe pa as një kusht të vetëm” tha se janë dy skenare se çfarë mund të ketë ndodhur.
Ose ata janë futur joqëllimshëm në territor të Serbisë, ose mund të kenë qenë rrëmbyer – u shpreh ai në një konferencë online me gazetarë.
Kurti, megjithatë, i qëndronte kësaj kërkese në çdo paraqitje. Në një cicërimë në Twitter ai u drejtohet ndërkombëtarëve me kërkesën që të dënohej si agresion.
“Edhe inkurzioni i forcave edhe rrëmbimi janë akte të hapura të agresionit fillestar”, shkruante Kurti.
Edhe këtë të diele duke folur nga Feriaji, ai sërish bëri thirrje. “Ftoj faktorin ndërlombëtar të dënojë agresionin e Serbisë më 14 qershor kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë”.
Departamenti amerikan i Shtetit të shtunën doli me një deklaratë ku kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tri policëve (të cilëve shteti serb tashmë edhe u ka caktuar masë 30 ditëshe të paraburgimit).
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, shkroi zëdhënësi i DASh, Mathew Miller.
Komunikata e DASh i referohej si “arrestim” ndonëse akuzat ndaj tyre i vlerësonte për të rreme dhe të shtirura. Megjithatë, nuk dënohej për agresion.
Kurti në ndërkohë siguroi sot se “po bëjmë gjithçka për lirimin e 3 policëve”. /Nacionale/