Përfaqësues nga organizata “Miqtë e Amerikës” dhe Grupi i Kërkim-Shpëtimit “Vullnetarët” kanë shprehur mbështetjen e tyre të palëkundur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-presidentin Bill Clinton, pas dëmtimit të pllakës përkujtimore në nder të tij në Prishtinë.
Agim Rexhepi nga “Miqtë e Amerikës” e cilësoi aktin si të papranueshëm dhe me pasoja të mëdha politike. “SHBA-të janë sponsorë të shtetit të Kosovës. Nuk duhet të lejojmë që të preket një figurë që ka ndihmuar në lirinë tonë,” tha ai.
“Mendoj që vendi i shkrimit të mesazhit nuk është i rastësishëm, kjo për shumë arsye politike dhe gjeopolitike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sponsorizuese të shtetit të Kosovës. Gjysma e kabinetit Biden në 11-vjetorin e kaluar kanë qenë hebrenj. Nuk duhet të lejojmë të ndodhin këto gjëra, sepse pasojat janë të jashtëzakonshme për shtetin dhe kombin. Apeloj te institucionet që sa më shpejt të zbulojnë kryesit dhe nxitësit,” ka thënë Rexhepi.
Biznesmeni Qëndrim Kryeziu dënoi veprimin, duke e quajtur një sulm ndaj ikonës së popullit shqiptar. “Po të mos ishte Bill Clinton, sot nuk do të ishim këtu,” tha Kryeziu, duke kërkuar që autoritetet të zbulojnë sa më shpejt autorët e dëmtimit.
“Ishte ditë e diel kur e pamë që ishte baltosur ikona e popullit shqiptar. Po të mos ishte Bill Clinton, ne sot nuk do të ishim këtu. Çdo njeri duhet të ndihet krenar për Bill Clintonin dhe për atë që ka bërë Izraeli për vendin tonë. Urojmë që organet sa më parë ta gjejnë autorin që e ka bërë këtë. Nuk kemi nevojë të na dëmtohet figura që na ka ndihmuar të sjellim lirinë.”