Sot gjatë ditës Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen e Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Rreth kësaj ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se ky vendim është i padrejtë e skandaloz, shkruan lajmi.net.
Ajo po ashtu ka thënë se, aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm drejtësi jo.
Postimi i plotë:
Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht.
Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.
Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!
Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit.
Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore.
Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo.