Në veçanti, raporti kritikon ashpër vendimin e qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të produkteve të gatshme nga Serbia, vendim i cili vlerësohet se “ndikoi negativisht në kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë”.
Ndërsa remitancat e dërguara nga diaspora “vazhdojnë të përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të BPV-së së Kosovës”, investimet e huaja direkte (IHD) mbeten të kufizuara, vlerësohet në raportin e DASh-it.
Raporti nënvizon disa nga barrierat kryesore të cilat stangojnë tërheqjen e IHD-ve. Mes tyre përmenden edhe ‘ndërhyrjet e pamatura të ekzekutivit në ekonomi’.
“Një treg i brendshëm i vogël por në rritje, integrimi i kufizuar rajonal dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë barrierat kryesore për tërheqjen e IHD-ve. Politikat ekonomike ndonjëherë kapriçioze të Qeverisë së Kosovës, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat paraqesin gjithashtu sfida për investitorët”, thuhet ndër të tjera në raportin e DASh-it.
Raporti ka kritikuar ashpër ndalimin e importit të mallrave të gatshme me origjinë serbe nga qershori i vitit 2023. Ky veprim, sipas raportit, jo vetëm që krijoi konfuzion të madh në mesin e importuesve, por gjithashtu dëmtoi kompanitë me pronësi të huaj në Kosovë.
Madje, raporti vë në dukje mungesën e qartësisë nga qeveria në lidhje me rezultatet e këtij ndalimi dhe vë në pikëpyetje efektivitetin e tij në adresimin e shqetësimeve të sigurisë.
“Ndalimi shkaktoi konfuzion të madh te importuesit dhe ndikoi negativisht në kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit. Përkundër kërkesave të përsëritura, qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si ky ndalim ka zbutur kërcënimet e sigurisë”, thekson raporti.
Rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit në transaksione me para të gatshme vlerësohet gjithashtu në raport si qasje e kufizuar në mbështetjen financiare serbe për komunitetet serbe dhe pakicat e tjera etnike.
“Qeveria e Kosovës gjithashtu nuk ka ofruar një rregullim administrativ për çështjet e regjistrimit të bizneseve që kërcënonin të mbyllnin disa biznese dhe një media. Përveç kësaj, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) miratoi një Rregullore të ndryshuar për Operacionet me Para të gatshme vetëm me një muaj paralajmërim, duke kufizuar ashpër qasjen në mbështetjen financiare serbe të komuniteteve serbe dhe të pakicave të tjera etnike”, thuhet aty.
Investimet e Huaja Direkte
Në tremujorin e parë të vitit 2024, Kosova tërhoqi 185.39 milionë euro investime të huaja direkte (IHD), duke shënuar një rënie nga 189.6 milionë euro të raportuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në muajin mars u shënuan hyrje të IHD-ve prej 44.3 milionë euro, nga 64.8 milionë euro në mars të një viti më parë.
Përfituesi kryesor i investimeve të huaja mbeti sektori i patundshmërive, me vlerë 54.2 milionë euro.
Nga ana tjetër, sektori i aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike pësoi një rënie të lehtë prej 400 mijë eurosh krahasuar me një vit më parë.
Rritje të investimeve të huaja direkte është shënuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë; riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, ku vetëm gjatë muajit mars arritën vlerën e 13.6 milionë euro.
Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia vazhdojnë të prijnë sa i përket vlerës së investimeve.
Megjithatë, IHD-të e Gjermanisë në Kosovë panë një rënie prej 11.1 milionë euro në tre muajt e parë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.