Drejtori i Institutit Atlas, Agron Demi, ngriti shqetësime serioze për qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj mediumit publik RTK, duke e cilësuar atë si një tendencë autoritare që rrezikon të ardhmen demokratike të Kosovës.
Sipas tij, sjelljet aktuale dëshmojnë se, nëse do t’i jepej mundësia, Vetëvendosje do të shkelte çdo mekanizëm demokratik, duke “zhdukur secilën rregull dhe do të mbyllte secilën shprehje të lirë.”
“Unë kurrë s’kam qenë ndonjë përkrahës i mediumit publik RTK, sepse nuk mendoj që është publik me të vërtetë, është më shumë një medium shtetëror me financim nga taksat tona.
Por ajo që po bën VV sot me RTK-në është një shenjë e qartë e një autoritarizmi karikatural. Dhe tregon qartë: po t’i jepej mundësia, VV do ta shkelte secilin mekanizëm demokratik, do të zhdukte secilën rregull dhe do të mbyllte secilën shprehje të lirë.” – shkroi Demi.
Demi kujtoi edhe një deklaratë të deputetit Albin Kurti në një intervistë të mëhershme, ku ai kishte kërkuar që edhe gjyqtarët e prokurorët të dilnin në zgjedhje dhe të maten me vota, një deklarim, sipas tij, “kundër frymës së demokracisë përfaqësuese, por edhe kundër kushtetutës.”
“Në një intervistë para disa muajve në Top Story, kryeministri Kurti kërkonte që edhe gjyqtarët e prokurorët të dalin në zgjedhje dhe të maten me vota. Një deklarim shqetësues, jo vetëm kundër frymës së demokracisë përfaqësuese, por edhe kundër kushtetutës.
Për Kurtin dhe VV, nëse nuk je votuar në zgjedhje, atëherë nuk paske të drejtë të kritikosh: as si shoqëri civile, as si media, as si biznes, as si qytetar, e as ta kryesh punën si prokuror apo gjyqtar. Kjo është një logjikë thellësisht autoritare dhe e rrezikshme për një shtet të ri si Kosova, që ende po e konsolidon demokracinë dhe balancën e pushteteve.
Demokracia nuk është vetëm qeverisje e shumicës. Është një sistem i ndarjes së pushteteve, i kontrollit dhe balancës, i mundësive të vetëkorrigjimit. Është një sistem ku rolin vendimtar e luajnë edhe mediat, shoqëria civile, akademia dhe sektori privat, jo vetëm partia që merr më shumë vota.
Të mendosh se kush nuk ka dalë në votime “s’ka të drejtë të flasë”, ose se kush ka shumicën mund të bëjë çfarë të dojë, është popullizëm ekstrem dhe rrezik për demokracinë tonë. Ky mentalitet nuk guxon të normalizohet.” – tha ai.