Analisti, Arton Demhasaj, thotë se sot përleshja në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur për t’u tërhequr vëmendja nga Ligji për pagën minimale dhe nga publikimi i audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku bisedon me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiqin.
Ai tha se sot vëmendja e mediave, publikut, dhe opinionistëve është tërhequr në atë se çfarë po ndodh në kuvend.
“Dje e kemi parë pjesën e tretë të audio-incizimeve, e kemi parë se si LVV ka negociuar e diskutuar me pjesëtarë të Listës Serbe për veteranët e UÇK-së. Pra, veteranët e dimë që kanë luftuar kundër Serbisë dhe e shohim që deputetë shqiptarë të VV-së diskutojnë me deputetë serbë për veteranët. Sot është votuar Ligji për pagën minimale, ku veteranët janë përjashtuar nga e drejta për me pas pagën minimale aq sa është votuar sot në Kuvend. Në këto dy situata, dje ka ndodhur kjo, e sot kjo tjetra, pra krejt vëmendja është tërhequr edhe e publikut, e mediave, oponionistave e krejtve, tash vëmendja ka shkuar se çfarë ka ndodhur në Kuvend”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas tij, është e gabueshme që partitë opozitare të bien në grackën e qeverisë, në mënyrë që të tërhiqet vëmendja nga skandalet.
“Prandaj është e gabueshme me ra në gracka qoftë edhe të partisë që është në pushtet që me u tërheq vëmendja nga një skandal, mega skandal, skandali më i madh, sepse kur flitet për veteranët me serbët mendoj që është skandali më i madhi. Këtu ka edhe elemente të tradhtisë kombëtare, kur ti diskuton për veteranët me serbët. Megjithatë, kjo mbeti nën hije tashmë dhe kjo mund të jetë skenar i përgatitur nga ta, që me tërheq vëmendjen. Prandaj, deputetët duhet të jenë të matur në veprimet që i ndërmarrin që mos me ardh deri te kjo”, shtoi ai.