Analisti Arton Demhasaj, deklaroi se kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka obligim të tregojë se cili është momenti kur Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka filluar të mbajë anë në dialog me Serbinë.
Madje, Demhasaj vlerësoi se procesi dialogues me Serbinë, tani është dukë “vluar” nga populizmi.
“Kurti tani e ka obligim, pasi ka dalë dhe ka thënë para popullit të Kosovës se Lajçak qenka i anshëm, tani duhet të tregojë cili është momenti që Lajçak ka filluar të mbajë anë dhe deri në cilin moment ka qenë i paanshëm. Këtu është problemi, nuk mund t’i thotë dikujt që është i anshëm, përderisa Kosova nuk ka zbatuar asgjë nga marrëveshjet. Komplet ky proces dialogues është duke “vluar” nga populizmi. Kur je në Qeveri dhe përsëri “vlon” nga populizmi, kjo është e pakuptueshme”, deklaroi Demhasaj në emisionin “Këndi i Debatit”.
Ndërkaq, sa i përket akuzës së Kurtit ndaj Lajçak për njëanshmëri, Demhasaj tha se kryeministri këtë veprim e ka bërë për vota.
“Për t’i treguar qytetarëve, kinse “shikoni se çfarë jam në gjendje t’iu bëjë ndërmjetësuesve”, shtoi tutje Demhasaj.