Analisti Arton Demhasaj e shesh si vendim kryekëput politike rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit.
Demhasaj thotë se çështja për targat, zgjedhjet lokale e vendimi i fundit i BQK-së janë veprime që tregojnë se interesi i është tyre s’është ekonomik.
“Kur i shohim veprimet qofshin ato për targat, zgjedhjet lokalet, tash vendimi i BQK-së, absolut nuk shihet asnjë element që interesi i këtyre veprimeve është interes ekonomik, por është puro-politik, dhe kjo po vërehet. Po të kishte qenë qëllimi i kësaj rregullore të BQK-së ekonomike, shumë ma e dëmshme për Kosovën është që krejt ato biznese që operojnë në katër komunat veriore që s’janë fare të regjistruara e nuk paguajnë tatime hiç, të gjitha operojnë në mënyrë ilegale”, tha ai.
Analisti tha se bizneset që operojnë në veri në mënyrë ilegale, janë ato që më së shumti e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.
“Gradualisht, nëse interesi na qenka ekonomik ti e sheh se cili është veprimi që po e dëmtojnë më së shumti ekonominë e Kosovës. Shumë ma shumë janë bizneset që qarkullojnë që atje funksionojnë, po flasim për katër komunat në veri që ekziston një ekonomi e errët që s’kanë lidhje me këtë pjesën tjetër të ekonomisë”, shtoi ai.
Rregullorja e BQK-së thotë se euroja është e vetmja valutë zyrtare në vend dhe që ndalon dinarin serb, me të cilin komuniteti serb në veri ka marrë mjete nga Serbia.