Në mars të këtij viti janë bërë katër vjet, që kur Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Lëvizja Vetëvendosje e cila në atë kohë ishte opozitë, e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje dhe gjatë seancës së Kuvendit për votimin e saj, kishte hedhur gaz lotsjellës.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, kishte deklaruar se do ta rishikonte këtë marrëveshje, të cilën e kishte quajtur të dëmshme për Kosovën.
E tani, në 4 vjetorin e ratifikimit të kësaj marrëveshje, Kurti tha se po pret që të formohet qeveria e re e Malit të Zi dhe do ta vendosë në tavolinë për diskutim këtë marrëveshje.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re. Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Mali i Zi tashmë ka zgjedhur kryeministrin e ri, Dritan Abazoviq, i cili ka thënë se për ta Demarkacioni ka marrë fund.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic, ka folur deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.
Ai ka thënë se përgjigja e kryeministrit Abazoviq ka qenë përgjigje për ish kryeministrin Haradinaj, derisa VV e ka kundërshtuar atë marrëveshje me protesta, ndërsa që Haradinaj e kishte votuar atë, për karrigen e kryeministrit.
“Çfarë ka thënë kryeministri i Malit të Zi, është përgjigje për ish kryeministrin Haradinaj Ne e kemi kundërshtuar këtë marrëveshje, kemi protestuar kundër ratifikimit, kurse Haradinaj për karrigen e kryeministrit kishte kaluar nga kundërshtimi në votim, duke i hedhur hi syve të publikut se kinse do të rishikohet. Që para ratifikimit i kemi paralajmëruar se akti i fundit për një marrëveshje ndërkombëtare, është ratifikimi, duke i lutur që mos të ratifikohet”, është shprehur Rrustemi.