Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka vullnet politik për t’i çuar përpara proceset e vendit.
Demaku tha se Kurtit u mungon vullneti, teksa pjesën tjetër të VV-së i quajti “kori që e ndjekin atë”, e që sipas tij, për këtë arsye po gjenden mënyra për të kamufluar situata për të përfituar në kohë.
“Duhet të mbyllet tërësisht hapësira manipulative nga politika dhe të jetë një përgjigje shumë më konkrete nga Kushtetuesja që të mos lihet aspak hapësirë për t’u keqpërdorur ajo më tutje”.
“Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, është e qartë se forca e parë politike e bën propozimin dhe i takon fituesit të zgjedhjeve. Është detyrë e tyre që ta propozojnë njeriun e duhur i cili do të kishte mundur më lehtë t’i merrte numrat për t’u zgjedhur kryetar i kuvendit”, tha Demaku në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se vendi duhet të dal nga ngërçi i krijuar,sipas tij, qëllimshëm nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne duhet të dalim nga ngërçi që qëllimisht e ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje. T’i thuash publikut se i kanë votat për qeveri por jo për kuvendin, atëherë këtu kemi shpërputhje totale të mendimit”, tha ai.