Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Demaku, ka folur për programin qeverisës të PDK-së dhe kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër, duke e cilësuar atë si alternativën më të mirë për vendin.
Demaku tha se PDK-ja u ka ofruar qytetarëve një program konkret dhe të realizueshëm, në një kohë kur, sipas tij, Kosova po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.
“Ne i kemi ofruar qytetarëve tanë alternativën më të mirë me Bedri Hamzën, duke pasur parasysh se vendi është pothuajse në kolaps ekonomik. Nuk ka shpresë në këtë qeverisje, ndërsa Bedri Hamza është mundësia më e mirë, si një ekonomist i dalluar në politikën tonë”, ka thënë Demaku.
Ai theksoi se Hamza ka dëshmuar aftësi profesionale dhe menaxheriale edhe gjatë mandatit të tij si ministër i Financave.
“Jo vetëm për anën profesionale, por edhe për veprimet e tij në të kaluarën. Sa ishte ministër i Financave, ai pati një impakt të jashtëzakonshëm – me mendimet dhe politikat e tij janë rritur pagat e qytetarëve dhe ka pasur kontroll mbi çmimet”, u shpreh Demaku.
Sipas tij, Bedri Hamza është figura që i duhet Kosovës për t’u kthyer në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe për të rikthyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ne mendojmë se Hamza është personi që i duhet Kosovës për t’u kthyer në binarët e duhur të zhvillimit ekonomik, integrimeve dhe rikthimit të besimit nga miqtë tanë perëndimorë”, tha ai.
Demaku shtoi se, sipas PDK-së, Bedri Hamza do të ishte kryeministri ideal për vendin.
“Bedri Hamza është njeriu i duhur për qytetarët e këtij vendi. Ne mendojmë që ai do të ishte kryeministri ideal”, deklaroi Demaku.
Duke folur për raportet me Lëvizjen Vetëvendosje, Demaku tha se bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe VV-së është i pamundur për shkak të, siç u shpreh ai, gjuhës përçarëse të kësaj partie.
“Hamza ka treguar kulturë qytetare dhe sjellje të një udhëheqësi të përgjegjshëm përballë të gjithë qytetarëve. Ndryshe nga VV-ja, e cila ka ndikuar në ndarjen e shoqërisë dhe ka krijuar një urrejtje të pakuptimtë. Kjo është duke ndodhur në shoqërinë tonë dhe qytetarët shpesh nuk e dinë as nga vjen kjo gjendje”, ka thënë Demaku.
Ai përfundoi duke theksuar se, sipas tij, qasja e Bedri Hamzës është e kundërta e politikave aktuale të qeverisë.






