Analisti Arton Demhasaj vlerëson se kryetarët e rinj të komunave veriore, në veprimet dhe vendimet e tyre duhet t’i dëgjojnë këshillat e Ambasadës amerikane.
“Dëshiroj që edhe në të ardhmen, kur këta kryetarë kanë me fillu me ushtru mandatin e tyre të jenë të kujdesshëm, pra edhe t’i dëgjojnë këshillat e Ambasadës amerikane”, ka thënë Demhasaj.
Ai ka përmendur çështjen e vendimit për hapjen e Urës së Ibrit, për të cilin tha se ishte një veprim i ngutshëm.
“Te puna e urës ka dalë edhe çështja ku ambasadori amerikan ka dalë dhe ka thënë publikisht që këtë janë kryetarë teknikë dhe nuk janë kryetarë me marrë vendime politike. Menjëherë u ngutën për me e marrë një vendim të tillë, e paralajmëruan për me e hapë Urën e Ibrit e që ajo mund të sillte pasoja të tjera që lidhen me sigurinë në veri edhe çështje të tjera”, deklaroi ai në Këndin e Debatit në Tëvë 1.
Sipas Demhasajt, një veprim i gabuar mund ta dërgojë prapë veriun në situatë të brishtë të sigurisë, nga e cila thotë se përfiton vetëm Serbia.
“Prandaj mendoj që këta kryetarë duhet të jenë të dëgjueshëm ndaj këshillave që i marrin nga partnerët tanë amerikanë edhe duhet çdo veprim që dëshirojnë me e marrë ta konsultojnë me ta për shkak se një veprim apo vendim i gabuar mund ta dërgojë prapë veriun në një situatë të brishtë të sigurisë, edhe ashtu situata e sigurisë është e brishtë dhe mund të na dërgojë në një situatë ku veriu mund prapë të bllokohet.Çdo bllokim që po ndodh atje asnjëherë nuk po na shkon për shtati neve, por gjithmonë Qeverisë në Serbi”, shtoi ai.