Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se nuk do ta votojë kandidaten për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Kodra-Deliu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Haxhiu ka katër vjet në krye të drejtësisë, mirëpo siç tha ajo “pa i shërbyer drejtësisë’ si dhe tha se është një ministre që ka shkelur Kushtetutën disa herë.

“Katër vjet ministre — pa integritet profesional, pa vizion bashkues. Një ministre që ka shkelur Kushtetutën disa herë. Që ka dëmtuar financiarisht mbrojtjen e UÇK-së. Që ka humbur e djegur provat e rastit Dehari. Që ka përçarë në vend se të bashkojë. Kjo nuk është kryetarja që i duhet Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Ndryshe, seanca e së hënës (21 prill) shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Procesi po zvarritet, pasi partia më e madhe në vend ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme.