Një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i udhëhequr nga Petra Bayr, pritet ta zhvillojnë një vizitë parazgjedhore në Kosovë më 16 dhe 17 janar.
Kjo vizitë pritet të zhvillohet për të vlerësuar fushatën zgjedhore dhe klimën politike para zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.
Në këtë vizitë, delegacioni do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe krerët dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore politike të Kuvendit.
“Janë paraparë takime edhe me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në APKE, me kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me kryevëzhuesin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të bashkësisë diplomatike, shoqërinë civile dhe mediat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Këshilli i Evropës.
Delegacioni pritet të lëshojë një deklaratë në fund të vizitës.
Tutje bëhet e ditur se një delegacion prej 20 anëtarësh do të udhëtojë në Kosovë për të vëzhguar zgjedhjet e 9 shkurtit.