Pesë kombëtare mund të sigurojnë kualifikimin për Kupën e Botës 2026 këtë javë, përfshirë dy vende që nuk kanë qenë kurrë më parë në turne.
Kupa e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, është më pak se një vit larg.
Tre vendet pritëse i kanë siguruar tashmë vendet e tyre në turne, ndërsa Japonia, Zelanda e Re, Irani dhe Argjentina janë gjithashtu të kualifikuara përmes grupeve përkatëse eliminatore.
Këtë muaj rifillojnë ndeshjet kualifikuese për federatat AFC, CAF, Concacaf, CONMEBOL dhe UEFA, dhe pesë ekipe mund të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në turne gjatë kësaj jave.
Në Amerikën e Jugut, Ekuadori renditet i dyti pas Argjentinës në fazën kualifikuese dhe mund të sigurojë kualifikimin nëse fiton ndaj Brazilit dhe, në të njëjtën kohë, Venezuela barazon me Bolivinë të premten, më 6 qershor.
Në Azi, Uzbekistani është pranë një kualifikimi historik, që do të ishte i pari në historinë e këtij vendi. Ata do të sigurojnë kualifikimin në Kupën e Botës nëse shmangin humbjen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të enjten, më 5 qershor.
Katër kombëtare të tjera, Koreja e Jugut, Jordania, Iraku dhe Omani, mund të sigurojnë gjithashtu kualifikimin gjatë qershorit.
Koreja e Jugut mund ta vulosë kualifikimin të enjten nëse nuk humbet ndaj Irakut.
Jordania, që synon një kualifikim të parë historik në Kupën e Botës, do të sigurojë pjesëmarrjen nëse fiton ndaj Omanit dhe Iraku humbet ndaj Koresë së Jugut.
Australia, Arabia Saudite dhe Indonezia kanë gjithashtu shpresa për kualifikim. Megjithatë, vetëm Australia ka mundësi ta sigurojë kualfikimin këtë javë. Ata duhet të mposhtin Japoninë dhe të shpresojnë që Arabia Saudite të humbasë pikë ndaj Bahreinit të enjten.
Kombëtaret afrikane nuk mund të sigurojnë kualifikimin në këtë dritare ndërkombëtare dhe do të duhet të presin të paktën deri në shtator.
Ashtu si Afrika, asnjë kombëtare evropiane nën ombrellën e UEFA-s nuk mund të sigurojë pjesëmarrjen këtë javë, pasi faza kualifikuese ka nisur vetëm në muajin mars.
Sa i përket Oqeanisë, Zelanda e Re tashmë është e kualifikuar, ndërsa ishulli i vogël i Kaledonisë së Re do të marrë pjesë në fazën ‘play-off’ për kualifikim në Kupën e Botës.