Kanë kaluar tashmë një vit prej kur çështja e Kryeprokurorit të Shtetit është duke u sillur nëpër gjykata.
Edhe një herë tjetër, ankesat e një prej kandidatëve për trajtimin e rastit nga gjyqësori, janë në pritje për një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Në Këshilli Prokurorial kanë thënë se presin më shumë efikasitet në trajtimin e rastit, marrë parasysh rëndësinë e pozitës.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pret që më në fund që Zyra e Presidentes të Republikës së Kosovës të kryejë këtë detyrim kushtetues dhe sistemi prokurorial definitivisht të ketë Kryeprokurorin e Shtetit në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit, me kompetenca të plota ligjore dhe kushtetuese. Duke e ditur rëndësinë e kësaj pozite, ju informojmë se jemi në pritje edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të shpejtojë në vendosjen definitive lidhur me ankimimin e bërë për të dytën herë në këtë institucion.
Rrjedhimisht, vonesa e dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Z.Blerim Isufaj, është e panevojshme dhe në këtë drejtim kemi kërkuar që të bëhet dekretimi sa më parë nga Presidentja e vendit, Znj. Vjosa Osmani, e cila është garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, kanë thënë KPK-ja.
Tutje sipas këtij institucioni, caktimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është zgjidhje e përkohshme dhe se vazhdimi i kësaj pozite me ushtrues detyre, mund të sjellë pasiguri në planifikimet aafatgjate të këtij institucioni.
“Gjithashtu, KPK-ja, ka potencuar shumë herë për mediat dhe publikun se, caktimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ishte një zgjidhje e përkohshme dhe ushtrimi i detyrave të Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtrues detyre për një kohë të gjatë mund të sjellë pasiguri në planifikimet afatmesme dhe afatgjata për institucionet prokuroriale dhe për vetë shtetin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.
Andaj, Këshilli Prokurorial shpreson shumë që sistemi prokurorial të ketë së shpejti të zotin e vet në kohën kur më së shumti i duhet shtetit të Kosovës, e cila është duke luftuar kaq shumë për të drejtën dhe sundimin e ligjit.”
Se sistemi gjyqësor i Kosovës do duhej të i trajtonte me prioritet rastet kur kanë të bëjnë me pozita të rëndësishme në institucione, e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
“Ajo cka unë besoj që ky proces për emërimin e kryeprokurorit na ka mësuar, dhe i ka dhënë një mësim edhe Gjykatës Kushtetuese, është fakti që Kushtetuesja do duhej që në rastet kur kemi të bëjmë me emerimet ne pozitave të larta siç është Kryeprokurori i Shtetit, apo kryetarit të Gjykatës Supreme atëherë mos të e lërë këtë proces që të shkojë në gjykata të rregullta juridike, sepse po marrin kohë të gjatë”, ka thënë Ehat Miftaraj.
Derisa, nga Lëvizja Fol kanë thënë se vonesat në kthimin e përgjigjes për një kandidat janë të panevojshme dhe i bëjnë dëm sistemin prokurorial.
“Definitivisht konsideroj që nuk ka ndonjë arsye shumë të fortë për zvarritjen, e këtij procesi dhe sic e kemi thënë edhe në të kaluarën që presidentja duhet të japë një epilog këtij procesi, coftë me kthimin në pikën zero, ose me aprovimin e këtij kandidati”, ka thënë Mexhide Demolli.
Më 8 prill 2022, Presidencës i ishte dërguar propozimi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të Blerim Isufajt në pozitën e lënë me ushtrues detyre, prej përfundimit të mandantit të Aleksandër Lumezit.
Megjithatë, emri i Isufajt nuk është dekretuar nga Presidentja Osmani, që për këtë çështje nuk kanë kthyer përgjigje, por që në vazhdimësi kanë përsëritur pritjet e tyre për përfundimin e proceseve që janë pranë gjykatave, para një vendimi.
Procesi i përzgjedhjes së tij përveç që ishte kontestuar nga organizatat e shoqërisë civile, nga një prej kandidatëve, Shqipdon Fazliu, është ndjekur edhe në rrugë ligjore, me lëndën që për herë të dytë është aktualisht në Gjykatën Kushteutese./Dukagjini/