Tashmë ka nisur seanca fillestare ndaj Shkumbin Sekiraqës, i akuzuar për tentativë vrasjeje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Shkumbin Sekiraqa, pas leximit te aktakuzës, është deklaruar i pafajshëm për të tri veprat penale që ngarkohet, të shkaktuara në mars të këtij viti.
Në këtë rast është edhe një i akuzuar tjetër, e që me kërkesë të avokatit gjyqtari ka kërkuar nga mediet që të mos i përmendet emri, por të jetë vetëm me inicialet.
I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër me inicialet M.N., i cili akuzohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, është një nga personat e dyshuar në përplasjet e fundit midis grupeve “Capat” e “Sekiraqët”.
Ai tashmë ndodhet në paraburgim, i akuzuar për një plagosje të ndodhur në mars të vitit 2024.
Ndaj Shkumbin Sekiraqës, prokuroria ngriti aktakuzë për këtë ngjarje vetëm 4 ditë para rastit të fundit të përleshjes, e që sipas aktakuzës së siguruar nga televizioni Dukagjini, gjendet në paraburgim nga 3 qershori 2024.