Si rrjedhojë, trupi gjykues ka përcaktuar se deklaratat përmbyllëse të ZPS-së do të mbahen më 15 dhe 16 prill duke vijuar me mbrojtësin e viktimave.
“Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime gjatë seancës në bazë të vendimeve të trupit gjykues, përcakton se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 15 dhe 16 prill, e vijuar nga mbrojtësi i viktimave (më 16 prill) dhe mbrojtja (më 16 dhe 17 prill)”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Po ashtu, në rast se ka komente të palëve, pyetje nda trupi gjykues dhe parashtrime në lidhje me zhdëmtimet, është planifikuar që ato komente e pyetje të dëgjohen më 17 dhe 18 prill.
“Përgjigjet dhe komentet e palëve, pyetjet nga trupi gjykues dhe parashtrimet në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 17 dhe 18 prill”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, dita e fundit do të mbyllet me dëgjimin e deklaratës përmbyllëse nga i akuzuari Pjetër Shala.
Megjithatë, seanca e planifikuar për 19 prill nuk do të mbahet.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.