Deklaratat e Osmanit nxisin reagime të tjera nga LVV-ja: “Duhej të mendonte dy herë para se të fliste”

- Advertisement -

Disa deklarata të presidentes që sapo përfundoi mandatin, Vjosa Osmani, për raportet e saj me qeverinë dhe ndërveprimin institucional me partnerët ndërkombëtarë, ka trazuar edhe më tej marrëdhënien tashmë të tensionuar të ish-presidentes me kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij.

Eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë pritur gjatë dhe kanë reaguar ndaj deklarimeve të ish-presidentes që kritikoi qeverinë për krijim të keqkuptimeve me aleatët.

Deputeti Adnan Rrustemi ka vlerësuar kundërthënie në deklarimet e Osmanit krahasuar me qëndrimet e saj të mëparshme. Ai ka rikujtuar sesi ish-shefja e shtetit e akuzonte Kurtin se po “luan bixhoz me aleancat”, jo shumë larg me sot.

“Nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pika më e fortë e Kurtit, atëherë pse pati nevojë presidentja të bëhej ‘gardiane’ e mbrojtjes së miqësisë me miqtë? Apo pse pati nevojë që ajo të thoshte se Kurti po luan bixhoz me aleancat?”, tha Rrustemi në një reagim në rrjetin social Facebook të mërkurën.

Sipas Rrustemit, Osmani asokohe ishte rreshtuar me ndërkombëtarët kundër Kurtit dhe qeverisë së tij.

“Këto deklarime erdhën direkt si rezultat i qëndrimit të fortë në dialog dhe moskompromisit me shtrirjen e rendit në veri”, u shpreh deputeti nga Lipjani.

Në fund, ai i dha vërejtje sjelljes së presidentes.

“Apo ndoshta vetë presidentja do të duhej të mendonte dy herë kur i tha këto fjalë”, vërejti deputeti Rrustemi.

Ndërsa komentoi raportet e qeverisë me partnerët ndërkombëtarë, ish-presidentja Osmani tha të martën në një intervistë në televizionin T7 se ishte Presidenca e udhëhequr prej saj që eliminoi keqkuptimet e hasura mes ekzekutivit dhe Bashkimit Evropian e të cilat rezultuan me heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe më dhjetor janë hequr ato masa”, deklaroi ajo mbrëmë.

Ish-presidentja, u deklarua edhe për raportet e saj me kryeministrin Kurti, duke thënë se ky i fundit e kishte vlerësuar për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Kësisoj, shtoi ajo, u gjend në befasi nga qëndrimi i Kurtit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme.

Të ngjashme

Të fundit