Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për Indeksonline ka thënë se do të intervistohet deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.
“Të hënën ose të martën do të intervistohet Haki Abazi, jo të tjerët”, tha Isufaj.
Kjo vjen pas pretendimeve të tij, se posedon video-inçizim që sipas tij do të zbardhte zhdukjen e mostrave në IML të Astrit Deharit.
“Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, tha Abazi.
Deputeti Haki Abazi ka thënë se për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes, duke filluar nga kryeministri Kurti.
Abazi tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë nga kamerat dhe se, sipas tij, dihet qartë se kush i ka nxjerrë mostrat e Astrit Deharit dhe i ka zhdukur ato.