Aktori, Laert Vasili, ka bërë një rrëfim të rëndë lidhur me të kaluarën e familjes së tij gjatë regjimit komunist.
Gjatë një interviste, ai deklaroi se motra e tij, e lindur para tij, ndërroi jetë vetëm 6-muajshe, pasi gjatë analizave i kishin marrë më shumë gjak se ç’duhej – gjak i cili, sipas tij, përdorej për rigjenerimin e diktatorit Enver Hoxha.
Laerti deklaroi se kjo nuk ishte një ngjarje e izoluar, por ka ndodhur me shumë foshnja, për të cilat sot askush nuk flet.

“E dinë të gjithë çfarë ndodhte nëpër gjiret e fshehta të Liqenit Artificial, por nuk ka pasur guximin kush ta thotë”, u shpreh ai. “Vdes diktatori, Shqipëria mbushet me radhë të panumërta njerëzish që qajnë me oi… Ti mund të qeshësh me zor, me zor nuk qan dot. Dy milionë e gjysmë shqiptarë kanë qarë me oi. Pesë vjet më vonë, bëhet Lëvizja e Dhjetorit dhe ne dalim të gjithë demokratë të paepur dhe të gjithë ishin anti-sistem, që tregon që të gjithë jemi hipokritë”.
Ai shton se nëna e tij, kur ishte shtatzënë me të, kishte vendosur të largohej nga Tirana dhe të shkonte në Delvinë për të lindur, nga frika e përsëritjes së asaj që ndodhi me motrën e tij.
“Merrej gjaku nga foshnjët dhe i rigjenerohej gjaku diktatorit, kështu humbi jetën ime motër, 6 muajshe. Kur i çoje fëmijët për analiza u merrnin më shumë gjak dhe nuk kuptoje, ndaj dhe nëna shkoi në Delvinë dhe më lindi atje, sepse atje ishte e sigurt”.
Në fund, Vasili kritikon edhe heshtjen shoqërore për këtë të kaluar të errët: “Nuk flet njeri për këtë. Për sa janë nën dhe te Mali me Gropa… nuk flet akoma njeri për dosjet. E kupton çfarë hipokrizie?”, përfundoi ai.