“Është ngjarja më e madhe që na ka ndodhur”, “dëgjimi në Senat i dha edhe një vulë apostile zyrtarizmit të çështjes së Luginës së Preshevës”.
Kështu e kanë komentuar seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, ku u trajtua për herë të parë politika diskriminuese e institucioneve serbe për pasivizimimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, për Albanian Post, kryetari në largim i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, dhe ish-deputeti nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi.
Të dy të prononcuarit e Albanian Post ishin protagonistë të takimeve që delegacioni i Luginës së Preshevës i kishte zhvilluar në mars, në SHBA – për t’i denoncuar diskriminimet dhe shkeljet e vazhdueshme që Serbia i bënë në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ishte senatori amerikan, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, Bob Menendez, që shqetësimet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ia paraqiti dy zyrtarëve amerikanë.
“Unë personalisht kam dëgjuar se shqiptarët në Luginë të Preshevës diskriminohen sistematikisht në Serbi. Raportohet se identiteti i tyre fshihet nga databazat e shtetit serb, duke bërë kështu në thelb njerëz pa shtet. Ndërsa Serbia politizon të drejtat e pakicave në Kosovë, çfarë po bëjmë ne për të adresuar të drejtat e shqiptarëve në Serbi?”, pyeti Menendez.
Ngritja e kësaj çështje nga senatori Menendez, si për Bislimin ashtu edhe për Mustafin është rezultat i takimeve që ata i kanë bërë në ShBA.
“Ishin takimet tona me Menendez bashkë me delegacionin e Luginës së fundi që po prodhojnë rezultate shumë konkrete”, tha Bislimi për AP.
“Ajo çka ndodhi në Senat me Menendez, është se ne i kemi pasur dy takime me stafin e tij në SHBA, dhe madje në takimin e tretë kemi pasur edhe takim të drejtpërdrejtë me të. Gjatë gjithë këtyre takimeve ne e kemi elaburaur situatën e vështirë, diskriminimin dhe shtypjen që shteti i Serbisë po i bënë shqiptarëve në Serbi, në kundërshtim me marrëveshjet paraprake që i kanë nënshkruar me përfaqësuesit shqiptar në Luginë të Preshevës”, tregoi nga ana tjetër Mustafi.
Ndërsa, ajo çka ndodhi dje në senat, sipas Bislimit “ka shënuar fitoren tonë të radhës”, e kjo sipas tij “falë angazhimit sistematik të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe veçanërisht, Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit pranë Ligës”.
“Përtej Kosovës dëgjimi në Senat i dha edhe një vulë apostile zyrtarizmit të çështjes së Luginës së Preshevës për të cilën unë e Liga jemi angazhuar tash e dy dekada e më intensivisht viteve të fundit”, elaboroi tutje ai.
Nga ana tjetër, Mustafi theksoi se në takimet qa kanë pasur me Menendez, “kemi elaburuar nevojën e patjetërsueshme për të pasur një ekuivalencë, barazi të trajtimit të komunitetit, përkatësisht të vendosjes së standardeve unike të trajtimit të pakicave në Ballkanin Perëndimor.
“Kemi konsideruar që vendosja e standardeve të dyfishta lë hapësirë për vatra krizash në të ardhmen”, shtoi ai.
Përveç se u diskutua, Bislimi bëri me dije se për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës “shumë shpejt do ketë angazhim direkt të SHBA-në këtë drejtim, madje ai zbuloi ekskluzivisht për Albanian Post detaje të këtij angazhimi.
“Ndërkohë mund t’ju jap lajmin e parë të mirë që në fund te muajit, respektivisht javën tjetër, si rezultat i punës sonë me zyrën e Senatorit Peters, përfaqësuesit e Luginës do jenë në një takim të rëndësishëm me një delegacion kongresional që do vizitojë Ballkanin, përfshi edhe Serbinë, në Ambasadën Amerikane në Beograd!”, bëri me dije ai për AP.
Ndërsa, shtoi se “ky është veçse fillimi dhe ne do vazhdojmë të bëjmë të pamundurën t’i japim zgjidhjen meritore vëllezërve e motrave tona në Luginë, përmes miqve tanë në Uashington, DC!”.
Për rezultatet e diskutimit në Senat për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, njëjtë si Bislimi tha edhe Mustafi.
“Përfundimisht një element i rëndësishëm është vënë në lëvizje, pra Senati Amerikan, dhe konsiderojmë që shumë shpejt do të ketë efekte të drejtpërdrejta në politikat implementuese të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
“Për herë të parë na ka ndodh që në një dëgjim në Senat; haptas t’i kërkohet Departamentit të Shtetit që të angazhohet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, në mënyrë që të ndërpritet kjo praktikë diskriminuese e pasivizimit të adresave, përkatësisht spastrimit etnik në heshtje siç e quan Komuniteti i Helsinkit në Beograd, pra haptas janë vënë në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, potencoi Mustafi për AP.
Për ish-deputetin e LDK-së, ka angazhime të shtuara dhe shume serioze edhe të Administratës, respektivisht të Departamentit të Shtetit, “por veçanërisht të Kongresit të SHBA-ve, që do jenë esenciale në zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës”.
“Nuk ka paqe e stabilitet afatgjatë në rajon, e aq më pak marrëveshje finale e gjithëpërfshirëse në dialogun Kosovë – Serbi pa zgjidhjen meritore të kërkesave të drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës!”, nënvizon Bislimi për AP.
Ndërkaq, ai tha se puna që është bërë për shqiptarët në Luginën e Preshevës tanimë është duke u parë, dhe bëri me dije se do të shihet “në ardhmen edhe më shumë”.
“Por, ajo që na duhet tutje është angazhim edhe më i shtuar në Uashington, DC. Unë nuk kam dyshim se do ia dalim ashtu siç ia kemi dalë në secilën betejë për Kosovën në veçanti e kauzën tonë kombëtare në përgjithësi”.
Gjithashtu, Bislimi beson se “barazia e trajtimi simetrik i minoriteteve si ne Serbi e ashtu edhe në Kosovë do jetë pjesë përbërëse e politikes amerikane në rajon”.
“Nuk do lejohet standard i dyfishtë i trajtimit të minoriteteve assesi ngase kjo do binte ndesh edhe me vlerat demokratike të vet SHBA-ve”, deklaroi ai për AP.
Gabriel Escobar, në përgjigjejen e pyetjes së senatorit, Bob Menendez, për politikat e Serbisë për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, theksoi se “ambasada jonë në Beograd merret shumë me këtë, dhe i përdorin të hollat e USAID-it që të krijojmë mundësi që të fillojmë mbrojtjen për shqiptarët, por jo vetëm për shqiptarët, por edhe për pakicat e tjera në Serbi”.
Mirëpo, kryetari në largim i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, tregoi për AP se angazhimet e ambasadës së ShBA-së në Serbi për këtë çështje deri më tani janë shumë të pakta.
“Ka pasur ca lëvizje nga ambasada amerikane në Serbi, madje përveç vizitave të zyrtarëve të ambasadës edhe vetë ambasadori (Christopher) Hill e ka vizituar Luginën e Preshevës, por megjithatë angazhimet e tyre janë të mangëta në raport me nevojën urgjente të adresimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shpjegoi situatën ai.
“USAID-i ka një kohë që nuk ka qenë, tani është paralajmëruar që do të jetë prezent edhe në Luginë të Preshevës. Ne po shpresojmë shumë që USAID-i me ambasadën amerikane të tretojnë temat të cilat janë urgjente për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e aq më tepër që të gjendet zgjidhjet e nevojshme dhe të domosdoshme kundër diskrimininit shtetëror të vazhdueshëm që i ndodh shqiptarëve në Serbi, për të krijuar hapësirë më të madhe për barazi, drejtësi e liri”, tha Mustafi për AP.
Ndryshe, Serbia është duke përdorur mjete jo demokratike, siç është ajo e pasivizimit të adresave të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi, që t’i largojë nga vendbanimet e tyre.
Ky problem ishte trajtuar edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Serbinë për vitin 2022, dhe në atë të Parlamentit Evropian.
“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale. Udhëheqësit shqiptarë etnikë në Serbi pretenduan se qeveria i nënshtronte në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë ndaj pasivizimit për të zvogëluar numrin zyrtar të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thuhet në raportin e DASH-it.
“Përsërit thirrjet e saj për një hetim të pavarur dhe të plotë mbi akuzat për keqpërdorim të ligjit për vendbanimin e qytetarëve dhe pasivizimin e adresave të banimit të qytetarëve të etnisë shqiptare në Serbinë qendrore dhe jugore”, thuhet në raportin e miratuar nga Parlamenti Evropian për Serbinë.