Gjatë kësaj kohe, eksportet shënuan një rritje modeste prej 4.14 për qind, ndërsa importet u rritën gati dyfish me 7.36 për qind apo rreth 2.21 miliardë euro.
“Bilanci tregtar në mallra deri në fund majit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,833.93 milion euro, i cili është për 8.04% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 373.86 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 4.14%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 7.36% duke arritur vlerën 2,207.79 milionë euro”, ka njoftuar BQK-ja.
“Deficiti tregtar sa shkon e thellohet”
Lulzim Rafuna, përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në një paraqitje në T7 kishe shprehur shqetësimet për gjendjen aktuale të bizneseve të Kosovës, duke theksuar sfidat në rritje me të cilat përballen.
Gjatë një intervistë për “Pressing” në T7, Rafuna kishte theksuar vështirësitë në zgjerimin e eksportit dhe rritjen e importeve, e cila ka përkeqësuar deficitin tashmë të konsiderueshëm tregtar.
Rafuna theksoi rëndësinë e forcimit të bizneseve vendore, duke theksuar se pavarësisht vështirësive, kompanitë kosovare po bëjnë hapa përpara në tregjet rajonale, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Ne jemi duke e humbur prodhimin. Nëse i marrim statistikat e muajve të fundit ne kemi rënite të eksporteve, pra është rritë shumë importi. Deficiti tregtar vetëm sa shkon duke u thelluar edhe më shumë. Kompanitë kosovare janë të lakmueshme dhe model për bashkëpunim. Kemi produkte shumë kualitative që kanë depertuar edhe në tregun europian. Ne nuk guxojmë që këto produkte t’i largojmë prej tregut se ai treg është fituar më shumë mund. Kompanitë tona vetëm kanë filluar me pa Maqedoninë e Veriut dhe janë duke investu, në Shqipëri dhe ndërtim në Mal të Zi”, tha ai.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka pretenduar përmirësim të raportit eksport-import, madje edhe në kohën kur të dhënat për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe vitit 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë për thellim të deficitit tregtar.
Ndër më të zëshmit në kritika për pretendimet e pushtetit ka qenë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Përmes një reagimi grafiku, Hoti kishe demantuar pretendimet e Kurtit në lidhje me importet dhe eksportet e Kosovës.
Hoti ka kujtuar se “mbulimi i importeve me eksporte gjatë 10 viteve të fundit është pothuajse i njëjtë”.
“Pse Kurti shtrembëron të dhënat për importet dhe eksportet e Kosovës?! Importi gjatë qeverisjes së tij ka rritje rapide. Shihni figurën nga të dhënat zyrtare të ASK-së. Deficiti tregtar është thelluar nga 3.4 miliardë euro në vitin 2019 (vit para pandemisë), në 5.9 miliardë euro në vitin 2023. Mbulimi i importeve me eksporte gjatë 10 viteve të fundit është pothuajse i njëjtë, nga 12%-16%, përjashto kohën e pandemisë. Ai që krenohet me këto të dhëna, ose nuk i kupton, ose mashtron opinionin.” – kishte shkruar Hoti.