Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas nisjes së stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe ’25”, duke theksuar rëndësinë e Shqipërisë si një partner kyç në këtë operacion ndërkombëtar.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ndarë pamje nga stërvitja dhe ka shprehur se kjo stërvitje, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset të dekadës së fundit, po zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
“Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit, zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara. “Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantik”.