Kryeministri Albin Kurti ka rënë pre e një mashtrimi telefonik gjatë muajit shkurt, pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Atë e kishin telefonuar komedianët rusë, Vovan dhe Lexus duke u shtirur se janë nga presidenca e Letonisë.
Kurti aty rrëfehej për gjithçka, çkado që ata e pyesnin.
E kjo “ngulje”, sipas opinionistit Ilir Deda, tregon se kryeministri Albin Kurti nuk di dhe nuk ka mësuar gjë gjatë këtij mandati qeverisës për marrëdhëniet ndërkombëtare.
[Biseda] “e tregon edhe një befasi të cilën e kam unë, që edhe pas pesë vjetësh komunikimi me ndërkombëtarë, Albini nuk e ka mësuar as bazën e komunikimit ndërkombëtarë, e as nuk e njeh marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e saktë kjo që po e them, edhe e rëndë, por është e vërtetuar. Për atë njeriu sot e kupton edhe më mirë se pse Kosova është e izoluar, se pse nuk ka interes për komunikim me kryeministrin e Kosovës, pse i gjithë komunikimi shkonte nëpërmjet presidentes Vjosa Osmani, pse Behgjet Pacolli është më i suksesshëm sesa krejt qeveria e Kosovës, i cili e solli një njohje, dhe pyetja që më lind është se çka e ka ndërmend të bëjë LDK-ja pas kësaj: ne presim qëndrim politik të përgjegjshëm, dhe ky reagim i Lumirit, fatkeqësisht nuk e tregon atë”.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Deda tha se duhet qëndrim politik, si i LDK-së, ashtu edhe i PDK-së, i AAK-së e Nismës për këtë rast.
“Neve na duhet qëndrim politik i LDK-së, se a do të lejojë Kosovën të vazhdojë të sharrojë, apo dëshiron të ketë rol domethënës në çfarëdo formule që gjendet që Kosova të dalë nga kjo situatë. Dhe e fundit, nuk ndodh që një kryeministër të shajë gjysmën e vendit të vet me një bashkëbisedues të huaj, ku e akuzon gjysmën e vendit që po punon me Serbi e Rusi, luftë hibride e gjëra të tilla. Për mua, për politikën në Kosovë, për Memlin, Lumirin, Ramushin e Limajn, kjo duhet të jetë njëfarë alarmi. Duhet të shohim pozicion të qartë për formimin e qeverisë së re, sepse nëse vazhdojmë kështu, vaj medet për ne”, u shpreh Deda.