Kalimi i shpejtë dhe i befasishëm i Thomas Tuchel në krye të pankinës së Bayern Munich, pas shkarkimit të teknikut Julian Nagelsmann habiti jo pak tifozat e klubit gjerman, por dhe të gjithë botës.
Pas zyrtarizimit tashmë është koha për debutim dhe për Tuchel ndeshja e parë e tij si “bavarez” do të jetë “der klassiker” ose klasikja e Gjermanisë, Bayern Munich-Borussia Dortmund, ndeshje e cila do të luhet pasditen e së shtunës.
Në konferencën për shtyp, në kuadër të supersfidës së kësaj jave, Tuchel theksoi se është tepër i lumtur që u bë pjesë e “bavarezëve”, ndërsa theksoi dhe potencialin e madh që ekipi ka.
“Fitorja ime e parë në Bundesligë ishte kundër Bayernit, me Mainz. Pastaj sigurisht që pati edhe disa humbje, për shembull në finalen e Champions League, një lojë e ngushtë, por gjithsesi përfundoi me humbje. Forca e Bayern ishte evidente çdo herë, një ekip shumë i vështirë për t’u përballur. Jam shumë krenar dhe i lumtur që jam pjesë e tij tani. Potenciali i skuadrës është i madh dhe jam i lumtur të mund ta përjetoj tani në anën tjetër, duke shpresuar që kundërshtarët të ndjejnë të njëjtat gjëra që përjetova kur u përballa me Bayernin”,- tha Tuchel në fjalët e tij.