Stuhitë e borës kanë shkaktuar probleme në Mbretërinë e Bashkuar, me disa aeroporte kryesore që janë detyruar të pezullojnë fluturimet.
Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur në Birmingham në Anglinë qendrore, Bristol në perëndim dhe Cardiff në Uells.
Disa evente sportive janë shtyrë, megjithëse u dha drita jeshile për të luajtur ndeshjen e Premier League mes Liverpool dhe Manchester United, pas inspektimeve në stadiumin Anfield.
Aeroporti John Lennon i Liverpool-it dhe Aeroporti i Mançesterit duhej të mbyllnin pistat, por ato mund të rihapen të dielën në mbrëmje. Edhe aeroporti Leed Bradford shfaqi probleme të ngjashme.
Rrjeti rrugor u ndikua shumë gjithashtu, teksa e diela ka qenë ditë shumë e ngarkuar, pasi shumë familje që kthehen në shtëpi nga pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe studentët kthehen në universitete.