Raportet e kryeministrave shqiptarë, bëhen përherë e më të palexueshme. Publikisht, duket se ato i dirixhon Rama me veprimet e tij. Dy ditë pas fjalimit të kryeministrit shqiptar në Këshillin e Evropës i cili bëri që Kurti të akuzohej në Kosovë, Rama iu shfaq liderit të LV-së pas shpine në Berlin ku ia mbylli sytë. Shfaqja e Ramës në kongresin e socialistëve në Berlin me Kurtin dukshëm të surprizuar nxiti reagime të Bojken Abazit dhe Elvis Hoxhës, njerëz të afërt të kreut të LV-së në Tiranë.
Sa herë që flitet se si janë raportet mes dy kryeministrave, Edi Rama bën ndonjë gjest për të treguar se, para së gjithash, me Albin Kurtin janë akoma miq e të afërt.
Para pak çastesh u publikua një video me “befasinë” që Rama po ia bënte Kurtit në Berlin.
Me një kamerë që e përcillte, në një sallë të mbushur ku po mbahet Kongresi i Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022.Rama shkoi pas shpinës së Kurtit dhe ia mbylli sytë. Videon më pas, kryeministri i dhënë pas rrjeteve sociale e kishte publikuar në TikTok.
Ky veprim i Ramës e skuqi Kryeministrin Kurti, i cili në ato momente ishte duke biseduar me një grup pjesëmarrësish. Kryeministri i Shqipërisë, pasi bërë të qeshin ata që kishte përreth dhe pasi i jep një përqafim Kurtit, largohet nga aty. Këtu përfundon edhe videoja.
“Befasia” nuk i ka pëlqyer kampit të Vetëvendosjes në Tiranë. Boiken Abazi është shprehur i indinjuar nga “prekjet e shumta”, që Rama ia bën Kurtit.
Ndërsa, Elvis Hoxha ka shkuar me një përshkrim për të terthortë. “Ka dy forma populizmi. Njëri t’i hap sytë, tjetri t’i mbyll sytë”, thuhet në një postim të tij në Facebook.
Thuajse secili po e komentonte fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës ku për një orë foli vetëm për Kosovën dhe për luftën e saj çlirimtare. Por, Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ia ka dëgjuar fjalimin.
“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e Kryeministrit Rama, sepse nuk e kam dëgjuar, pra nuk kam pasur mundësi ta dëgjojë”
Rama nga shumë kush, sidomos për adhuruesit e ish-Presidentit Hashim Thaçi, u rikthye në “zërin” e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani e akuzon Kryeministrin Edi Rama se mbron Serbinë në rrafshin ndërkombëtar edhe për rreshtimin krah Rusisë. Kurti, tregohet më i kujdesshëm në raport me Ramën, pa akuza të tilla direkte, por në ditën e fjalimit në KiE, Kurti la të kuptohej se Rama kursen Serbinë.
“Nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën, pa e adresuar kriminin e Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kaluan dy ditë pas paraqitjes së Ramës dhe nuk dihet nëse Kurti e ka dëgjuar tashmë fjalimin e tij në Këshill të Evropës.
Para këtij, takimi i fundit i bërë publik mes Ramës dhe Kurtit është një që ndodhi në vilën 30, në Tiranë. Kryeministri i Kosovës udhëtoi “me urgjencë” për të marrë pjesë në drekën e punës me Ramën.
Pas takimit në vilën e Mehmet Shehut në kryeqytetin shqiptar, ku duket se ndodhi edhe pajtimi mes liderëve, u vërejt një gjuhë tjetër e Ramës karshi Kurtit.
Gjatë një bisede online qytetarë, Kurtin e kritikuan në Kosovë për çështjen e mungesës së energjisë, Rama e shfajësoi duke thënë se problemet me rrymë nuk janë të kësaj qeverie.
“Atyre që më përmendin Kosovën i them se Kosova ka halle shumë më të mëdha që janë të një natyre tjetër, që janë halle që vinë nga një strukturë tjetër e prodhimit të energjisë dhe nuk është çështja e Qeverisë sot” , kishte deklaruar Rama.
“Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën për të dhënë e për të marrë, që të mbështesim njëri tjetrin dhe ta mbështesim Kosovën sa më shumë“ shtoi ai.
Në një intervistë për Der Spiegel që u publikua dje, Rama dha edhe një shenjë tjetër të afrisë me Kurtin duke e quajtur “vëllai im Kurti”.
Gazetarë edhe analistë të ndryshëm kanë provuar të japin një përgjigje për takimin në Tiranë duke përmendur një sërë arsyesh si bisedimet me Serbinë, sulmet kibernetike ndaj sistemeve në Kosovë e Shqipëri , çështjen e portit të Durrës, çështjet e bashkëpunimit energjetik përballë dimrit të vështirë që po paralajmëroht. Por duket se tema kryesore që po i mbizotëron këto raport është ajo e dialogut./Express/