Shtetet e Bashkuara kanë ripohuar thirrjet që Serbia të përgjigjet pa vonesa të mëtejshme ndaj autorëve në njëvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
“Të gjithë ata që janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023 duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Me 24 shtator të vitit 2023, një grup prej mbi 50 personash, të uniformuar e armatosur rëndë, kishin mësyrë veriun e Kosovës. Qëllimi i tyre, i konfirmuar edhe me aktakuzë, ishte për ta aneksuar pjesën veriore të Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovë, Afrim Bunjaku.