“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.
“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.
“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.
Më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë hyrjen në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore për përdorimin e valutave pa u përgatitur plotësisht ndërsa shprehu shqetësimin se kjo mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.
“Ne mendojmë se kjo çështje meriton vërtet një shqyrtim më të kujdesshëm, por edhe një diskutim brenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne jemi të shqetësuar se ajo potencialisht do të përshkallëzojë tensionet etnike dhe rezulton problematik për jetën e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”, tha ambasadori amerikan pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Vendimi që hyri ne fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.
Rregullorja nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.
Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe kalimtare të lehtësuar, por pa dhënë hollësi për afatin kohor.
“Pra, ne shpresojmë se qeveria do të gjejë një mënyrë për të realizuar atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që do të thotë të ketë një lloj periudhe kalimtare dhe në të cilën ka një ritëm. Dhe disa njohje të sfidave në vend përpara se të zbatohet plotësisht”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se një pjesë e qytetarëve serbë do të përballen me shumë sfida në përfitimet që i marrin.
“Unë mendoj se njerëzit do të ndihen të shkëputur nga një përfitim ku ata mbështeten. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne jemi të shqetësuar për individët dhe jetën e tyre”, tha ambasadori amerikan.
Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje të enjten Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore e cila përcakton se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.
Bashkimi Evropian dhe diplomatët në Prishtinë pajtohen që rregullorja “synon të rrisë transparencën financiare, të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, por kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit “derisa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq diskutoi të mërkurën mbrëma me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për këtë çështje por nuk u dhanë hollësi rreth diskutimeve.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë trysni Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan gati një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër.