26.2 C
New York
Monday, September 15, 2025

Buy now

DASH: Ia kemi bërë të qartë direkt Kurtit përmes Prattipati, na duhet një partner që e kupton se duhen evituar veprimet destabiliuzuese

- Advertisement -

Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën që lam pas kanë vendosur që të pezullojnë Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të konstatimit të tyre se Qeveria në detyrë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti ka rritur tensionet dhe ka ndikuar në rritjen e destabilitetit, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë vendim të Uashingtonit zyrtar, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se e Ngarkuara me Punë në Ambasadë, Anu Prattipati, ka zhvilluar takime në vazhdimësi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se të njëjtit Qeveria e SHBA-së përmes këtyre takimeve në mënyrë direkte ia ka shprehur shqetësimet amerikane.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë për Gazetën Express se SHBA do të jetë gjithmonë një aleat i ngushtë i popullit të Kosovës dhe se janë të përkushtuar plotësisht për këtë partneritet. Megjithatë ky zëdhënës i DASH në përgjigjen për Gazetën Express ka thënë se SHBA kërkon nga partnerët e saj që të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.

“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë”, ka thënë ky zëdhënës i DASH për Gazetën Expres.

Sa i përket Qeverisë në detyrë, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se dëshirojnë që të lëvizin përpara, megjithatë potencojnë se kanë nevojë për një partner që kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Lidhur me pyetjen nëse do të ketë ndonjë masë tjetër pasuese për qeverinë në detyrë,  përfshirë edhe vetë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga DASH kanë thënë se do të vazhdojnë të vlerësojnë veprimet e Qeverisë në detyrë dhe se “s’kanë diçka më shumë për të shtuar në këtë moment”.

Gjithashtu kanë thënë nga DASH se si një rregull i përgjithshëm, nuk flasin paraprakisht për sanksionet.

‘Në përgjithësi, ne nuk paraflasim për sanksionet”, ka thënë ky zëdhënës i DASH për Gazetën Express.

Të ngjashme

Të fundit