Në artikullin e 22 marsit 2024, mediumi shkruante se “janë shfaqur” pretendime për lidhjet financiare të bashkëshortes së emisarit Escobar dhe MPJ-së serbe:
“Janë shfaqur pretendime se veprimet e Escobarit në Kosovë janë të njëanshme dhe potencialisht të komprometuara, duke pasur parasysh lidhjet financiare të raportuara mes gruas së tij dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë”.
Tutje, raportohet se kjo hedh hije mbi neutralitetin e emisarit, dhe “ngre dyshime” mbi veprimet e tij gjatë ngjarjeve si kriza në veri dhe sulmi i 24 shtatorit.
Demanton DASh
Këto pretendime, i ka demantuar dhe i ka quajtur “TË RREME” Departamenti Amerikan i Shtetit, duke përmendur edhe kompanitë për të cilat gazetari pretendonte se Escobar ka lidhje me to.
“Këto pretendime të bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Gruaja e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Escobar nuk ka marrë asnjëherë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. As DAS Escobar nuk ka ndonjë lidhje familjare me partnerin e supozuar në firmën ligjore të Teksasit McGinnis Lochridge LLP. Është e papërgjegjshme të publikohen të tilla falsifikime.” –kanë thënë nga DASh për “Sbunker”.
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka shkruar në lidhje me këtë, duke përmendur se ky medium, ka ndjekur në mënyrë aktive një agjendë për të minuar lidhjet e Kosovës me aleatët perëndimorë.
“Njerëzit që duhet të dinë më mirë ndanë pjesët e tij. Departamenti Amerikan i Shtetit mohon zyrtarisht akuzat kundër të dërguarit të tij…” – ka thënë ai tutje.
A very dodgy disinfo outlet @FRONTLINER_UK has been actively pursuing an agenda of undermining Kosovo’s ties w/ Western allies. People who should know better shared its pieces. U.S State Dept officially denies allegations against its envoy in a statement for @sbunker. https://t.co/Gg2bxdE8ZA
— Agon Maliqi (@AgonMaliqi) April 26, 2024
Çka kishte thënë Kurti për këtë?
Në një konferencë të datës 22 mars, Xhymshiti e kishte pyetur edhe kryeministrin Albin Kurti në një konferencë për media mbi këto “dyshime” të mediumit të tij.
Ai madje, i kishte thënë shefit të Qeverisë së “Escobar ia sulmon atij karakterin politik” dhe se është “në kundërshtim me protokollet diplomatike të thotë se presidentja është garantuesja e marrëdhënieve ShBA-Kosovë”.
“Vudi Xhymshiti për Frontliner në Londër. I dërguari i Blinken, Gabriel Escobar, në vazhdimësi sipas narrativës së tij politike ka sulmuar karakterin tuaj politik, edhe pas ardhjes së fundit të tij në Kosovë. Madje kur u takua me presidenten, ai tha se presidentja është garantuesja e vetme e marrëdhënieve ShBA-Kosovë, që kjo i bie në kundërshtim të plotë me protokollet diplomatike. Gjetjet e magazinës së Fronliner rekomandojnë se Gfabriel Escobar, gruaja e tij, është e financuar nga MPJ e Serbisë, ne kemi hapur dyshime se ajo mund të jetë duke u paguar nga Serbia për të lobuar në interesat e Serbisë kundër Kosovës. Kemi gjetur një kopje të kontratës që rekomandon se një familjar i Escobar është i kontraktuar me Dodikun për të lobuar për interea të Republikës Serbe.
Cili është qëndrimi i Kosovës në rast se përballeni me gjetje të tilla, të verifikueshme dhe që tregojnë se janë të vërteta?” – ishte pyetja e plotë e tij.
Kurti ndërkaq, kishte rekomanduar që pyetjet t’i drejtohen DASh-it, pasi vetëm në këtë mënyrë, sipas kryeministrit “spastrohen situatat qofshin të territ apo të mjegullës”.
“Jetojmë në një khë kur është është e vështirë të thuash me saktësi se çka është e vërtetë 100 për qind, më vjen keq, këto pyetje nuk janë për mua, janë për DASh-in, kushdo që ka informacione jo vetëm për ShBA, por edhe në Evropë, ka informacione që qarkullojnë poshtë e lartë, majtas e djathtas, nuk kam mundësi t’i vërtetoj, besoj që kjo është mirë të shihet me ato shtete, për çfarëdo informacioni që iu ka ardhë në zyrë dhe në këtë mënyrë, ndihmoni që të spastrohen situatat qofshin të territ apo të mjegullës.” – kishte thënë shefi i Qeverisë.