Federata e Volejbollit e Kosovës ka zyrtarizuar sot marrëveshjen me trajnerin e njohur malazez, Darko Prebiraçeviç, i cili do të udhëheq Kombëtaren A të meshkujve për një periudhë njëvjeçare, në kuadër të projektit të mbështetur nga Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB).
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Federatës së Volejbollit të Kosovës, në prani të presidentit Bahri Gjinovci dhe sekretarit të përgjithshëm Valon Nikqi.
Përveç angazhimit në Kombëtaren A, trajneri Prebiraçeviç do të përfshihet edhe në zhvillimin e ekipeve të tjera kombëtare të grupmoshave, në vazhdën e projektit të nisur me mbështetjen e FIVB për ngritjen e volejbollit kosovar në të gjitha nivelet.
Prebiraçeviç është trajneri i dytë i huaj që angazhohet në drejtimin e Kombëtares së Kosovës, pas çekut Martin Nemec, i cili e udhëhoqi ekipin së fundmi.