Kombëtarja e Kosovës ka ateruar para pak minutash në Bratisllavë, aty ku nesër mbrëma do ta zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt Kupës së Botës 2026.
Dardanët do të përballen me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it, takim që nis nga ora 20:45 dhe që mund të përcaktojë shumë për ëndrrën e madhe të kualifikimit.
Para nisjes, skuadra ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kosovë, duke përmbyllur përgatitjet për këtë përballje vendimtare, e më pas ka marrë rrugën drejt Sllovakisë, me fokus maksimal tek dueli i nesërm.
Në rast fitoreje, Kosova do ta ketë mundësinë historike për ta luajtur finalen e play-off-it në shtëpi. Më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri”, dardanët do të presin fituesin e ndeshjes mes Turqisë dhe Rumanisë.
Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar sipas planit për tifozët kosovarë.
Shumë prej tyre, që kanë udhëtuar nga vise të ndryshme për ta mbështetur Kombëtaren, janë përballur me vështirësi në aeroportin e Bratisllavës. Për shkak të problemeve në sistem, ata kanë mbetur të bllokuar për më shumë se një orë gjatë paradites së sotme.
Pavarësisht kësaj situate të pakëndshme, interesimi për këtë ndeshje mbetet i madh, me tifozët që nuk janë ndalur për të qenë pranë ekipit në një moment kaq të rëndësishëm.
Kosova tashmë është vetëm një hap larg finales së play-off-it dhe sfida ndaj Sllovakisë pritet të jetë vendimtare për të mbajtur gjallë ëndrrën e madhe – kualifikimin historic në Kampionatin Botëror.






