Sot, “Dardanët” e zhvilluan stërvitjen e radhës në stadiumin “Fadil Vokrri” nën drejtimin e Franco Fodas.
Disa prej futbollistëve si, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Elvis Rexhbeçaj dhe Muharrem Jashari bënë rigjenerim në palestër, ndërsa të tjerët kryen stërvitje intensive në fushë.
Atmosfera është pozitive dhe futbollistët janë të përkushtuar për ndeshjet e rëndësishme që do të përcaktojnë fatin e kualifikimeve.
Ndërkaq, Baton Zabërgja dhe Visar Bekaj folën për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme.
“Jam shumë i lumtur për rikthimin dhe shpresoj që me seriozitet të kalojmë këto sfida dhe të arrijmë qëllimin tonë. Ndeshja me Slloveninë është shumë e rëndësishme, dhe synojmë të paktën një pikë, por kemi mundësinë të shkojmë për fitore. Ekipi është në nivel të jashtëzakonshëm,” tha Zabërgja, i rikthyer në skuadër pas lëndimit.
Derisa, Bekaj shtoi se atmosfera është e shkëlqyer.
“Atmosfera është e shkëlqyer dhe të gjithë janë në formë të mirë. Ndeshja me Slloveninë është vendimtare, dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv. Edhe në mungesë të disa lojtarëve kyç, besoj se do ta kalojmë këtë sfidë dhe do të luftojmë për rezultate pozitive”, deklaroi ai.
Kombëtarja jonë më 15 nëntor do të jetë mysafire e Sllovenisë, derisa më 18 nëntor e pret Zvicrën në shtëpi.
Rezultatet e këtyre dy ndeshjeve do të jenë vendimtare, nëse Kosova do të kualifikohet apo jo në Kampionatin Botëror që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.






