Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes vendimtare kundër Islandës për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve, e cila do të luhet nesër në stadiumin “Enrique Roca de Murcia” në Spanjë.
Dardanët kanë zbritur në fushë me përkushtim të plotë, të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në këtë përballje të rëndësishme.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media ka theksuar se ekipi duhet të jetë i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes dhe të tregohet i disiplinuar taktikisht, veçanërisht kur Islanda ka posedimin e topit.
“Gjasat për fitore? Siç e kam thënë edhe më herët do të jetë një përballje ku gjasat janë 50 me 50. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e parë, e cila ishte goxha e përafërt, ku edhe Islanda kishte mundësi të shënonte në disa situata, por edhe ne kishim mundësi të mira për të shënuar për 3:1. Mënyra se si do të luajmë? Islanda është skuadër që ka futbollistë që ka të mirë sidomos në aspektin ofanziv. Do të jetë shumë e rëndësishme për ne se si do të luajmë kur Islanda e ka posedimin e topit.
Mënyra se si do të reagojmë dhe energjia që do të kemi për të luftuar për ta rifituar topin mund të jetë vendimtare për epilogun e ndeshjes”, ka theksuar Foda.
Ai ka thënë ndonëse janë në cilësi të mysafirit në këtë ndeshje do të synojnë ta bëjnë lojë sa më kreative dhe të provojnë të gjejnë golin.
Sa i përket vendimit se kush do të jetë në portë pas mungesës së Arijanet Muric, trajner gjerman ka thënë se për këtë do të vendosë nesër.
Në fakt, Kosova do të përballet me disa mungesa të rëndësishme në këtë ndeshje.
Krahas futbollistëve që u lënduan para grumbullimit me klubet e tyre, në këtë ndeshje mungojnë edhe portieri Arijanet Muric dhe mesfushori Donat Rrudhani për shkak të lëndimeve, si dhe Valon Berisha i cili është i suspenduar për shkak të kartonëve.
Megjithatë, skuadra është e vendosur për të luftuar për fitore dhe për të siguruar kualifikimin në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe këtë mesazh e përçoi në konferencë për media edhe sulmuesi Vedat Muriqi.
“Arma jonë më e fortë? Gjithmonë kam thënë se është shpirti luftarak. Lëndimet e disa lojtarëve? Ne edhe në shumë ndeshje tjera kemi luajtur me mungesa, si pa Amirin, pa Milotin apo pa mua, por ekipi ka treguar lojëra të mira. Besoj se edhe kësaj radhe pavarësisht mungesës së Aros, Donatit dhe Valonit, ata që do të luajnë do ta japin maksimumin”, tha Muriqi.
Ai tha se edhe ndeshja e parë ka qenë e vështirë.
“Qëllimi ka qenë që ta kemi avantazhin nga ndeshja e parë dhe këtë e kemi arritur, pasi kemi epërsinë e një goli. Jemi të gatshëm për nesër. Kosova është e gatshme për t’u kualifikuar në Ligën B”, theksoi Muriqi, duke shtuar:
“Është hera e parë në Murcia, nëse do të luhej ndeshja në Mallorca sigurisht se do të ishte ndryshe, por shpresoj se edhe nga këtu do të kem përshtypje të mira në fund”.
Sfida e nesërme ndaj Islandës do të luhet nga ora 18:00