Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ditë më parë e mposhti Zvicrën me rezultat bindës 76-49, në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për “Eurobasket 2025”.
“Dardanët” kanë vazhduar me përgatitje në Prizren, para udhëtimit në Danimarkë, i cili do të bëhet sot (e hënë). Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon të mërkurën ndaj Danimarkës, kurse edhe optimizmi në ekipin përfaqësues është mjaftë i madh.
Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje. Federata e Basketbollit të Kosovës të dielën iu ka bërë thirrje bashkatdhetarëve në Danimarkë që më 26 korrik të mbështesin ekipin përfaqësues të Kosovës në rrugëtimin e saj drejtë “Eurobasket 2025”.
“Danimarka dhe Kosova do të përballen të mërkurën (26 korrik) në Arena Naestved nga ora 18:00. Basketbollistët e Kosovës presin përkrahje nga bashkatdhetarët që jetojnë në Danimarkë, ashtu si ka ndodhur në të gjitha ndeshjet që kanë luajtur si mysafirë. Ky takim është shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e Dardanëve. Ndeshja është e vlefshme për Rrethin e Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025”, thuhet në njoftimin e FBK-së.