Futbollistet e Kosovës janë mposhtur nga Ukraina në nismë të kualifikimeve për Kampionatin evropian “EURO 2025”.
Dardanet u mposhtën 2:0 nga ukrainaset në duelin e zhvilluar në Antalya të Turqisë, aty ku i zhvillon ndeshjet kombëtarja e Ukrainës, për shkak të luftës me Rusinë.
Kosova vinte nga një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje, 13 prej tyre fitore, që nga 12 nëntori i vitit 2022.
Futbollistet e Kosovës nuk ia dolën të shfrytëzojnë terrenin neutral. Ukraina ka shënuar dy gola në pjesën e parë për fitoren e rëndësishme.
Anna Petryk shënoi nga penalltia në minutën e 28-të për 1:0, derisa golin e dytë e realizoi Tamila Khimich në minutën e 34-t.
Kosova ka avancuar nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve gjatë serisë pa disfata.
Kualifikimet për Evropian janë organizuar në format të njëjtë me Ligën e Kombeve dhe Kosova po paraqitet në Ligën B.
Kosova është në Grupin 4 të Ligës B, ku janë edhe Uellsi dhe Kroacia.
Pas katër ditësh, Kosova e pret Uellsin, favoritin e grupit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Më 31 maj, “Dardanet” i presin edhe futbollistet e Kroacisë, me shumë mundësi sërish në Podujevë. Më 4 qershor është ndeshja Kroacia – Kosova. Më 12 korrik, Kosova e pret Ukrainën, ndërsa fazën grupore të kualifikimeve e përfundon më 16 korrik në ndeshjen në udhëtim ndaj Uellsit.
Nëse renditet në tri pozitat e para, Kombëtarja e Kosovës kualifikohet për plejof.