Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, “dardanët”, ka bërë një thirrje publike për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në Bratisllavë për ndeshjen e radhës së ekipit kombëtar.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, e cila shihet si një hap i ri drejt ndërtimit të historisë së ekipit, interesimi i madh i tifozëve është vlerësuar si jashtëzakonisht inkurajues nga organizatorët, shkruan Indeksonline
Përmes një njoftimi zyrtar, “dardanët” kanë bërë të ditur se është caktuar një pikë takimi për të gjithë tifozët, pa dallim nëse janë pjesë e organizuar apo kanë siguruar bileta në sektorë të ndryshëm të stadiumit. Qëllimi i këtij organizimi është shmangia e lëvizjeve të shpërndara dhe krijimi i një atmosfere të përbashkët përkrahëse.
Sipas njoftimit, tifozët ftohen të mblidhen nga ora 14:00 deri në 17:45 në adresën: Gelato Point, Laurinská 780/2, në zonën Staré Mesto të Bratisllavës. Prej aty, ata do të marshojnë së bashku drejt stadiumit.
“Dardanët” kanë bërë thirrje për shpërndarjen sa më të gjerë të këtij informacioni, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe organizimit për të mbështetur ekipin në këtë përballje.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, ndërsa tifozët synojnë të krijojnë një mbështetje të fuqishme për futbollistët, në një ndeshje që konsiderohet me peshë të veçantë për vazhdimësinë e sukseseve të Kosovës në arenën ndërkombëtare






