Opinionisti Dardan Sejdiu po vlerëson se trajtimi qeverisës për problemin me energjinë elektrike është vonesë në menaxhim, për shkak se për këtë çështje kishte indikacione të hershme.
Sipas tij, kjo po kushton me qindra miliona euro dhe tashmë kjo neglizhencë dhe mosdije po kërkohet të paguhet nga qytetarët e vendit me ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
”Rritja globale e çmimeve të energjisë elektrike i ka shtyrë shumicën e qeverive në Evropë dhe rajon që të marrin masa për të mbrojtur qytetarët nga ndikimi i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve.
Duke u marrë me tema të “tjera”, Qeveria e Kosovës ka filluar të merret dhe të hapë këtë diskutim në dhjetor 2021 – ndonëse që nga prilli 2021 ka pasur informacione dhe indikacione që kriza energjetike do të na godasë. Qeveria e Kosovës e pranoi që ka krizë energjetike në vend, vetëm kur u ballafaqua me rënien e bllokut B2 të termocentralit Kosova B!
10 muaj me vonesë, të dashtun. Kjo nuk është kurrgjë më shumë sesa vonese në menaxhim dhe kryerje të detyrave të shtëpisë.
Institucionet dështuan në monitorimin e tregut energjetik dhe zhvillimet, të cilat ishin duke ndodhur në botë dhe u paralajmëruan shumë herët.
Neglizhenca për mosveprim të institucioneve tona tani po na kushton qindra miliona euro dhe kjo mosdije dhe neglizhencë po kërkohet të paguhet nga qytetarët e vendit me ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në fund, ZRE-ja del me propozim për rritje të çmimeve të rrymës dhe për këtë propozim për rritje ende nuk e dëgjova ndonjë përfaqësues nga qeveria duke u mospajtuar.
Në fakt, qeveria po e mbron këtë pozicion e propozim për rritje të rrymës dhe kjo sot në seancë të Kuvendit u shpërfaq qartazi.
Kjo qeveri është pro rritjes së çmimeve sipas propozimeve të ZRE-së.
Ky është problemi dhe kjo është gjendja në të cilën jemi për momentin”.