Emisioni më i ri në Klan Kosova, “Monokël”, i cili të hënën iu servua për herë të parë shikuesve, iu kushtua analistit politik Dardan Sejdiu.
Sejdiu për vite me radhë ishte i angazhuar në politikë, si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Andaj në “Monokël” ai rrëfeu për rrugëtimin e tij politik, pse vendosi të shkëputej nga Vetëvendosje? Çfarë mendon për Albin Kurtin? Çfarë raportesh gëzon me ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti? E shumëçka tjetër.
Sejdiu tregoi se angazhimin e tij në jetën publike e nisi në vitin 1997, si përkthyes për Sky News e MBC News, ku u përball me tmerret e luftës, andaj, sipas tij, kjo ishte edhe arsyeja pse vendosi të angazhohej në politikë.
“Mua interesimi për jetën publike dhe angazhim më ka ardhur gjatë viteve ’97, ’98, ’99, ku kam qenë i angazhuar në zonat që kanë qenë të prekura me luftë, qoftë si përkthyes dhe udhëheqës për Sky News e MBC News, ku e kam parë tmerrin e luftës, e kam parë njëfarë nevoje që kurdoherë të angazhohem në jetën publike me një kontribut sado të vogël që mundet dikush me e dhanë”, ka thënë Sejdiu për ‘Monokël’.
Ai kur foli për daljen nga Vetëvendosje, tha se nuk kishte dalë nga ky subjekt por ishte përjashtuar.
“Diskutimi për largim prej Vetëvendosjes ka qenë diskutim, i cili ka ndodhur jo në një afat shumë të gjatë, ka pasur diskutime brenda Vetëvendosjes se si me organizu Vetëvendosjen. Për mua në momentin që i kemi bërë 32 deputetë, jemi dyfishuar, përdorimi i metodave që kanë qenë deri në atë kohë të përditshme, s’ka pasur kuptim… E vërteta është që ne jemi përjashtuar prej Vetëvendosjes, nuk kemi dalë, e vërteta është kjo, jemi përjashtuar duke e pamundësuar çdo lloj mendimi tjetër, përveç atij të Albinit dhe për njerëz të ngritur, është e pamundur të qëndrosh me idenë që të tkurresh e strukesh. Ke një vlerë, ke një bindje për shoqërinë”, tha ai.
Ai madje tha se për të bërit politikë gjithmonë kritikuesja më e madhe e tij ka qenë bashkëshortja.
“Më kritikon më së shumti bashkëshortja, për çdo veprim timin që ka qenë kontrovers, ka thënë ta rimendoj edhe njëherë”, u shpreh Sejdiu.
Për ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, tha se gëzon një raport miqësor me të.
“Prishtina si temë ka qenë e nxehtë gjithmonë në raportin në mes dy miqve, unë Shpendin e kam edhe shok… E kemi pasur një moment dallimi esencial sa i përket të ardhmes së Prishtinës, por e kam mik”, vazhdoi ai.