Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale, duke ngritur alarmin për atë që e cilëson si një dështim të thellë dhe afatgjatë të shtetit të Kosovës.
Sipas Sejdiut, vendi po përballet me një krizë të heshtur, e cila nuk shfaqet përmes konflikteve apo krizave të menjëhershme, por përmes një zbrazjeje graduale shoqërore, ekonomike dhe demografike. Ai përshkruan një realitet ku emigrimi është shndërruar në zgjidhjen kryesore për qytetarët, ndërsa institucionet shtetërore kanë dështuar të krijojnë kushte për jetë dhe zhvillim të qëndrueshëm brenda vendit.
Në analizën e tij, Sejdiu thekson se Kosova po humb gjenerata të tëra përmes emigrimit masiv, duke e kthyer diasporën në shtyllë ekonomike dhe jo në partner zhvillimi. Remitencat, sipas tij, janë shndërruar në zëvendësim të politikave publike, ndërsa shteti është mësuar të mbijetojë përmes tyre në vend që të ndërtojë prodhim, vende pune dhe siguri sociale.
Ai vë në pah edhe rolin e dobët të shtetit në mbështetjen e grave, familjes dhe tregut të punës, duke theksuar se mungesa e shërbimeve publike – si çerdhet, kujdesi social dhe politikat e punësimit – ka lënë barrën e ekonomisë familjare mbi gratë dhe ka thelluar pabarazitë sociale.Sejdiu paralajmëron se vendi po hyn në një cikël të rrezikshëm plakjeje demografike, ku të rinjtë largohen, ndërsa të moshuarit mbesin pa përkujdesje institucionale. Sipas tij, buxheti shtetëror po shpenzohet kryesisht për masa afatshkurtra dhe skema sociale, në vend të investimeve strukturore që do të krijonin zhvillim afatgjatë.
Në fund, ai thekson se problemi kryesor nuk është mungesa e resurseve, por mungesa e vullnetit politik dhe vizionit strategjik. Sipas Sejdiut, Kosova është futur në një normalitet të rrezikshëm, ku kriza është bërë rutinë dhe improvizimi është shndërruar në mënyrë qeverisjeje.
Postimi i plotë:






