Mesfushori i kombëtares së Portugalisë dhe i skuadrës së PSG, Danilo ka dhënë disa komente lidhur me Cristiano Ronaldon.
Danilo do të jetë me kombëtaren e Portugalisë në Kampionatin Botëror dhe ka folur për disa kritika që dëgjon për skuadrën kombëtare, kur thuhet se ata luajnë për Cristiano Ronaldon.
Mesfushori i PSG ka thënë se lojtarët luajnë për të fituar ndeshjet dhe jo për Cristianon, por sigurisht, me madhështinë e CR7, ata tentojnë t’i japin më shumë topa atij.
“Gjithmonë do të ketë kritika sepse Cristiano është një lojtar që shet shumë, ai është një lojtar për të cilin flitet çdo ditë. Nëse ai është i keq, njerëzit do të flasin. Nëse ai është i mirë, njerëzit do të flasin. Pra, ne brenda grupit e shohim krejt neutral”, ka thënë Danilo.
“Është normale që Cristiano, duke qenë pika më e fortë e kombëtares, të ketë më shumë vëmendje mbi të, ne do t’i japim më shumë topa, do të përpiqemi ta bëjmë atë të shënojë gola dhe ai gjithashtu do të kërkojë. Është e natyrshme që ekziston kjo teori, sepse njerëzit mendojnë se ne luajmë për Cristianon, por nuk është kështu. Ne luajmë për të fituar ndeshjet”, tha mes tjerash lojtari.
Cristiano Ronaldo së fundmi është në qendër të vëmendjes në mediat evropiane, pasi dha një intervistë për ‘The Sun’ ku adresoi shumë kritika për klubin e Manchester United.