Barcelona këtë verë ka sjellë vetëm dy lojtarë – tre nëse llogaritet edhe talenti i Barca Atletic, Roony Bardghji – por mesfushori Dani Olmo beson se katalanasit kanë bërë punë më të mirë deri tani sesa rivalët e tyre historikë. Real Madrid ka shpenzuar shumë këtë merkato, me katër afrimet që arrijnë në total 167.5 milionë €.
Blaugranat po përballen sërish me kufirin e pagave për të regjistruar lojtarët, por në teori do ta nisin sezonin e ri me Marcus Rashford në sulm dhe Joan Garcia në portë. Duke folur për Cadena Cope, Dani Olmo dha një vlerësim pozitiv për merkaton e Barcelonës:
“Edhe Madridi dëshiron të ketë lojtarët më të mirë, kështu që nga ky këndvështrim është mirë. Edhe ne jemi përforcuar, madje do të thosha edhe më mirë.”
“Në fund, të gjitha skuadrat bëjnë ndryshime në verë, në dimër, gjatë merkatos. Nuk na shqetëson nëse ata nënshkruajnë apo shtojnë lojtarë; në fund ne duhet të fokusohemi te ekipi ynë,” shtoi Olmo, duke komentuar gjithashtu për merkaton e madhe të Atletico Madrid.
Barcelona këtë verë ka shpenzuar 25 milionë € për Garcian dhe ka marrë Rashfordin në huazim nga Manchester United. Sulmuesi anglez besohet se i kushton katalanasve 14 milionë € bruto në paga, por këto janë të vetmet afrime për skuadrën e Hansi Flick. Me largimet e Pau Victor, Alex Valle dhe Pablo Torre, shpenzimi neto i Barcelonës është vetëm 2 milionë €.
Ndërkohë, 167.5 milionë € e Real Madrid-it përfshin katër lojtarë: Alvaro Carreras (50 milionë €), Dean Huijsen (60 milionë €), Trent Alexander-Arnold (10 milionë €), dhe Franco Mastantuono, i cili do të mbërrijë më 14 gusht për 45 milionë €, ndërsa disa raporte e çojnë koston totale në 63 milionë € me taksat. Xabi Alonso do të ketë në dispozicion një prapavijë të rinovuar. Los Blancos kanë arkëtuar vetëm 2 milionë € nga shitja e Alvaro Rodriguez, që sjell shpenzim neto prej 165.5 milionë €.
Atletico Madrid ka shpenzuar shumë për verën e dytë radhazi, me tetë afrime të reja, duke përfshirë transferimet e përhershme të Clement Lenglet dhe Juan Musso. Totali i shpenzimeve të tyre arrin 153 milionë €, por me shitjet e Samuel Lino, Santiago Mourino, Rodrigo Riquelme, Angel Correa dhe marrëveshjen për Arthur Vermeeren që sollën 68 milionë €, shpenzimi neto është 85 milionë €.