Deputeti i LDK-së Anton Quni ka thënë se rritja e votave në emër të tij “është bërë pa dashjen dhe pa dijeninë” e tij.
“Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.”
Ai ka thënë se i është njollosur personaliteti dhe karriera.
“Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit.”
Sipas tij “motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë”.
“Unë jam i interesuari që të zbardhet e vërteta:
-Pse u zgjodh emri im për këtë manipulim?
-Kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Qendrën e Numërimit?”
Ai i ka kërkuar falje kolegëve të cilëve votat “mund të jenë tjetërsuar në favorin e tij”.
Quni ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.
“Garimi duhet të jetë i drejtë dhe çdo votë e fituar me meritë duhet të shkojë te personi që e ka marrë atë besim. Deklaroj se jam plotësisht i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për të zbardhur këtë skandal deri në fund. E vërteta është mbrojtja ime e vetme.”






