Deputeti i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryetar të Obiliqit, po hetohet për punësime partiake dhe ndikim në shpronësime që mund t’i kenë shkaktuar KEK-ut miliona euro dëme.
Halil Thaçi ia vuri vetes mision që të punësojë qindra militantë partiakë në KEK.
Deputeti i Vetëvendosjes dyshohet se përdori fuqinë e tij për të ndikuar në konkurset e brendshme të Korporatës Energjetike.
Në katër vitet e fundit, Thaçi dyshohet se ndërhyu në dhjetëra raste në çështjet e komisioneve të brendshme të KEK për punësimin e militantëve partiakë.
Kësisoj, duke ushtruar ndikimin e tij prej deputeti, Thaçi punësoi në KEK një pjesë të strukturës së Qendrës së Vetëvendosjes në Obiliq.
Berat Gashi, Edon Zhegrova, Fisnik Dedinca, të gjithë anëtarë të Qendrës së LVV-së në Obiliq – të cilën Thaçi e udhëheq – u punësuan në KEK me ndikimin e deputetit të LVV-së nga Obiliqi.
Ai, u premtoi vende pune edhe shumë të tjerëve.
Për të përmbyllur me sukses misionin që kishte nisur, atë të punësimeve masive në KEK, deputeti u përfshi në një skemë që rezultoi me mashtrimin e dhjetëra qytetarëve të cilët llogariteshin si votues potencial të Vetëvendosjes.
Kjo skemë mashtrimi u zbatua vitin e kaluar në një konkurs për punësimin e 220 personave në pozitën “Manipulues i shiritave transportues, hinkës fushore dhe kabinës II”.
Konkursi kishte disa kritere, por njëri prej tyre ishte përcaktuesi: një diplomë e shkollës së mesme tenike – drejtimi i Xehtarisë. Këtë kriter nuk e plotësonin të gjithë. Dhe, pikërisht këtu dyshohet se ndërhyu Thaçi.
Për të përmbushur qëllimin e tij, Thaçi dyshohet se organizoi falsifikimin e diplomave të shkollës së mesme profesionale – drejtimi i Xehatarisë. Deputeti dhe dy njerëz të afërt të tij dyshohet edhe për falsifikimin dhe shitjen në këmbim të pagesave të dhjetëra diplomave të Shkollës së Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi” në Obiliq.
Disa prej qytetarëve që aplikuan në konkurs me diploma false, nuk u pranuan. Ata dyshohet se ranë viktimë e Thaçit dhe njerëzve të tij.
Mashtrimi u zbulua pasi KEK kërkoi zyrtarisht nga Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi” që të verifikonte nëse aplikantët kishin diplomuar në këtë shkollë.
Paparaci ka siguruar listën me emrat e 47 aplikantëve me diploma false, të verifikuara nga Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”. Regjistri tregon se dhjetëra aplikantë të tjerë ndodheshin në proces të verifikimit të diplomave.
Rasti ndodhet nën hetime nga Prokuroria e Shtetit.
Paparaci merr vesh se afër 40 persona janë intervistuar nga hetuesia si dëshmitarë dhe të dyshuar për këtë rast të dyshuar korruptiv.
Deputeti dhe kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Obiliqit, ndodhet nën hetime edhe për aferën e shpronësimeve në fshatin Shipitullë.
Edhe në këtë rast, ai dyshohet se ushtroi ndikim te ndërmarrjet e pavarura shtetërore që të ndryshohen hartat e shpronësimeve.
Një audio-incizim të cilin e publikoi portali Kallxo.com vitin e kaluar dëshmoi sesi Thaçi, gjatë një komunikimi me disa banorë të fshatit Shipitullë, u tregoi atyre se ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për ndryshimin e hartave të shpronësimeve.
“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu”, dëgjohet duke thënë Thaçi në këtë audio-incizim.
Prokuroria Speciale e ka konfirmuar zyrtarisht se Thaçi ndodhet nën hetime nga Njësia e Veçantë Anti-Korrupsion.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje”, tha Prokuroria Speciale në një përgjigje me shkrim për portalin Kallxo.com vitin e kaluar