21.4 C
New York
Friday, April 25, 2025

Buy now

Dallavere edhe në OShP – zyrtarë të saj ftohen nga Prokuroria

- Advertisement -

Qëllim kishte hakmarrjen e për shkak të saj ndikoi dhe e porositi komisionin që ta eliminojë, e këta iu nënshtruan atij.

Me këtë arsyetim, kompania “Sallahu” e bëri kallëzimin penal ndaj zëvendësministrit në dorëheqje të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e anëtarëve të komisionit rivlerësues të cilët e eliminuan nga tenderi për “Zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, segmenti Dollc – Zahaq”.

Por, kjo kompani nuk u ndal vetëm në ministri.

Padrejtësisë që pretendojnë se u bë ndaj tyre, ata thonë se ia hapi rrugën Paneli Shqyrtues për Ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Prandaj, më 21 tetor të 2024-ës, me kërkesë të Prokurorit, Dren Paca, kompania “Sallahu” e plotësoi kallëzimin penal të korrikut, duke i shtuar aty edhe kryesuesin, Vedat Poterqoin dhe anëtaret e këtij paneli, Vjosa Gradinaj – Mexhuani dhe Kimete Gashi.

Në këtë dokument të cilin e posedon Kiks Kosova, thuhet se dispozitivi dhe arsyetimi i vendimit të këtij paneli për ankesën e kompanisë “Sallahu” janë në kundërthënie me njëri-tjetrin.

Paneli Shqyrtues i Ankesave në raportin e tij konstatoi se kompania grupi i operatorëve ekonomikë “Sallahu Sh.p.k” dhe “Salillari” kanë dështuar të dëshmojnë përgjegjshmërinë e tyre referuar pajisjeve të cilat janë kërkuar në këtë tender.

Por, kjo kompani pretendon se paneli shqyrtues nuk ka elaboruar dhe nuk ka përfshirë fare në gjetjet e tij pretendimin ankimor të firmës “Sallahu” për pajisjet, të cilat ministria nuk i ka pranuar si devijim të vogël, që sipas tyre, është në kundërshtim me nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Kjo kompani e cila e pati ofertën më të lire, pretendon se u eliminua nga tenderi, vetëm për shkak se pajisja Greder ishte 200 kg më e rëndë sesa që u kërkua, përkatësisht në tender kërkohej me peshë 16 tonë, ndërsa kompania e ofroi me peshë 16.2 tonë.

“Sallahu Sh.p.k” e ka akuzuar panelin shqyrtues të ankesave se ka “dështuar të dëshmojë se çka ndikojnë 200 kg më shumë, në parametrat, cilësinë dhe funksionin e pajisjes në zbatimin e kontratës.”

Kiks Kosova ka kontaktuar me anëtarët e këtij komisioni për të kuptuar nga ta nëse janë intervistuar lidhur me këtë kallëzim penal, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve.

Për të marrë vesh se në cilën fazë është momentalisht ky rast, emisioni ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por deri në transmetimin e këtij emisioni, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme

Të fundit