Mbi 40 kompani i janë drejtuar Gjykatës Komerciale për të anuluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për dalje në treg të lirë. Madje Komericalja për 9 kompani ka pezulluar vendimin e ZRRE-së. Por pavarësisht kësaj, ZRRE nuk ka shfuqizuar vendimin.
Kjo për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për dalje në treg të lirë.
Sipas zyrtares ligjore në Odën Ekonomike, mbi 40 kompani kanë dorëzuar padi ndaj këtij vendimi.
Derisa deri më tani, nëntë bizneseve Komercialja ia ka anuluar përkohësisht vendimin e ZRRE-së.
“Oda Ekonomike e Kosovës ka trajtuar deri më tani mbi 40 raste të padive ndaj ZRRE-së nga bizneset familjare. Ndaj këtyre përpjekjeve, Gjykata Komerciale tani veçse ka filluar të marrë vendimet e para për caktimin e masës së përkohshme. E dimë që masa e përkohshme është një instrument që ka për qëllim me parandalua dëmet e pariparueshme”, ka thënë Elshan Haradinaj –zyrtar ligjor në OEK.
Duke pasur parasysh vendimet e deritanishme të Komerciales, nga Oda Ekonomike kërkojnë që ZRRE ta anulojë përkohësisht këtë vendim.
“Ndaj këtyre përpjekjeve që ka bërë edhe Oda Ekonomike, Gjykata Komerciale, ka filluar veç me i marrë vendimet e para ndaj këtyre padive që i kanë iniciuar bizneset. Kishte me qenë mirë që edhe ZRRE-ja me reflektu për shkak se kjo do të krijonte vetëm një ngarkesë dhe do të dihej që përfundimi do të jetë në favor të bizneseve”, ka thënë Haradinaj.
E nga Dhoma e Tregtisë tregojnë arsyet se pse Zyra e Rregullatorit po heziton ta anulojë këtë vendim.
“Kur e ka nxjerrë vendimin ose aktvendimin Gjykata Komerciale, i ka lënë hapësirë të dyjave palëve që të themi këtë luftën ta vazhdojnë në shkallën e dytë, në këtë rast në Apelin e Komerciales. Dmth ky është hapi i parë pozitiv, për çka ne besojmë shumë se meqenëse po flasim për të njëjtën Gjykatë do ta ndjek të njëjtin shembull”, ka thënë Kushtrim Ahmeti.
Zyra e Rregullatorit kishte marrë vendim që të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, të dalin në treg të lirë të energjisë elektrike.